
Disa qytetarë të Tetovës po paguajnë nga 2,500 denarë për shërbime noteriale në rastet kur kanë fatura të papaguara për mbeturinat ndaj kompanisë “Saubermacher” dhe NPK “Sharri”. Njëri nga këto qytetarë është Suhel Jonuzi, i cili thotë se pagesa e harxhimeve noteriale për shkak të vonesës në pagesën e faturave është e padrejtë, pasi siç thotë në dresë të tij nuk kishte arritur ndonjë faturë.
Pyetëm kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami. Ai thotë se qytetarët duhet ta dinë se, nëse nuk paguajnë faturat, do të përfundojnë te noteri dhe më pas edhe te përmbaruesi.
“Është proces që e bëjnë gjitha institucionet shtetërore publike dhe private. Për të gjithë ata që nuk paguajnë obligimet e tyre, dhe në baza të procedurës ligjore duhet realizimi të behët përmes këtij procesi të noterëve. Nëse nuk kanë marr fatura dhe nuk kanë marr vërejtje, nuk mund të realizohet edhe përmbarimi dhe në procese gjyqësore ata do e fitojnë lëndën”, deklaroi Bilal Kasami
Te kompania “Saubermacher”, që nga dita e premte kemi kërkuar informacion mbi numrin e qytetarëve që nuk kanë paguar fatura dhe sa prej tyre kanë përfunduar te noteri. Deri më tani, kjo kompani nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet.
Ndryshe, me ardhjen e kësaj kompanie, është rritur edhe pagesa për mbeturinat. Më parë, tarifat paguheshin për çdo anëtar të familjes, ndërsa tani bazohen në sipërfaqen e banesës, në metra katrorë.



