LajmeMaqedoniTopLajm

Osmani: VLEN, instrument përmes të cilit “projekti maqedonas” merr firmën shqiptare

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka publikuar sot një postim të gjatë analitik në Facebook, në të cilin akuzon koalicionin qeverisës VLEN se është shndërruar në “instrument institucional” në shërbim të një projekti maqedonas, ndërkohë që u siguron shqiptarëve vetëm pamjen e një qeverisjeje multietnike.

Sipas Osmanit, dobësia e VLEN-it nuk buron thjesht nga menaxhimi i keq, por nga vetë mënyra si është ndërtuar koalicioni. Ai e përshkruan VLEN-in si një grumbullim “fragmentesh politike” me prejardhje, ideologji dhe interesa të ndryshme, të bashkuara jo nga një projekt i përbashkët, por nga një “dorë e madhe nga jashtë” — pjesë, sipas tij, e një boshti ideologjik Budapest–Beograd (VMRO) dhe Prishtinë–Shkup (VLEN), me qëllim dobësimin e ndikimit euro-amerikan dhe shqiptar në rajon.

Duke e cilësuar VLEN-in si “koalicion negativ” në kuptimin e shkencës politike — pra një aleancë e mbajtur bashkë nga kundërshtari i përbashkët e jo nga vizioni i përbashkët — Osmani argumenton se pas largimit të BDI-së nga qeveria, VMRO-DPMNE u bë qendra e re organizuese e koalicionit dhe arbitri i vetëm i marrëdhënieve mes komponentëve të VLEN-it, duke vendosur kush merr ministri, kush kontrollon drejtori dhe kujt i forcohet struktura lokale.

Kjo, thotë ai, ka krijuar një “mekanizëm kontrolli përmes fragmentimit,” ku secili komponent i VLEN-it ka ndërtuar një lidhje vertikale më të fortë me VMRO-DPMNE-në sesa marrëdhëniet horizontale me partnerët e vet brenda koalicionit — duke e bërë kundërshtimin individualisht të rrezikshëm dhe bindjen individualisht të shpërblyer.

Pasojë e këtij mekanizmi, sipas nënkryetarit të BDI-së, është që institucionet e përbashkëta të vendit po emërtohen gradualisht si “maqedonase” — Armata Maqedonase, shteti maqedonas, interesat kombëtare maqedonase — ndërsa prania e ministrave shqiptarë rreth tryezës së qeverisë shërben vetëm si pamje e jashtme multietnike.

“Sot, VLEN-i shërben si instrument institucional përmes të cilit një projekt maqedonas merr firmën shqiptare,” shkroi Osmani, duke përfunduar se heterogjeniteti i brendshëm i koalicionit është pikërisht mekanizmi përmes të cilit ai kontrollohet nga jashtë.

Deri më tani, nga radhët e VLEN-it nuk ka pasur reagim ndaj deklaratave të Osmanit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close