LajmeMaqedoniTopLajm

Po ndërtohen klasa shtesë në SHF „Aleksandar Makedonski“ në Aerodrom investimi do të mundësojë mësim në një turn

Në Shkollën Fillore „Aleksandar Makedonski“, në „Reonski Centar”, në Komunën e
Aerodromit, po ndërtohen tri klasa shtesë të reja, të cilat do të mundësojnë realizimin e
mësimit në një turn për të gjithë nxënësit. Investimi është mbështetur nga Ministria e Arsimit
dhe Shkencës, kap vlerën prej 2,2 milionë denarë dhe duhet të përfundojë për tre muaj. Sot,
punimet ndërtimore i mbikqyrën ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna
Janevska, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.
„Prej dy vitesh angazhohemi për futjen e mësimit në një turn në të gjitha komunat dhe
shkollat ku kjo është e mundur. Përfitimet janë të shumta – fëmijët e fillojnë mësimin në
mëngjes, kur janë më të përqendruar për të mësuar. Nxënësit qëndrojnë më gjatë në shkollë
dhe duhet të qëndrojnë, pasi deri në moshën 15-vjeçare kanë 900 orë më pak mësim
krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Socializohen më shumë, gjë që është veçanërisht e
rëndësishme për mjediset dhe shkollat multietnike, si dhe kursehen mjete gjatë funksionimit
të objekteve shkollore”, tha ministrja Janevska, duke shtuar se deri më tani konceptin e kanë
pranuar mbi 200 shkolla.
Ajo theksoi se Qeveria u ofron mbështetje komunave për përshpejtimin e këtij procesi,
përmes zgjerimit të kapaciteteve të objekteve ekzistuese shkollore.
„Aktualisht po investojmë në ndërtimin e klasave të reja shtesë në 6 shkolla, njëra prej të
cilave është pikërisht kjo. Ndërkohë, janë duke u përgatitur, ndërsa një pjesë tashmë janë
përgatitur, gjithsej 15 projekte për ndërtimin e klasave të reja shtesë në shkolla të tjera.
Aktivitetet në terren do të fillojnë në etapa, përafërsisht nga muaji nëntor i këtij viti, ndërsa të
gjitha duhet të kenë filluar deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, theksoi ministrja.
Kryetari i Komunës së Aerodromit, Miteski, informoi se të gjitha shkollat në komunë po
përgatiten intensivisht për fillimin e vitit të ri shkollor, tekstet shkollore për të gjithë nxënësit
kanë mbërritur dhe do t’u shpërndahen në ditën e parë të shkollës, ndërsa nxënësit e klasës së
katërt do të pajisen edhe me pajisje tablet, të cilat prej disa vitesh sigurohen nga vetëqeverisja
lokale dhe nga buxheti i komunës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close