
Fronti Europian ka ankimuar vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rivotim pranë Gjykatës Administrative dhe paralajmëron padi për anëtarët e organit kryesor zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Sipas përfaqësuesit të Frontit Europian, Bujar Osmani opinioni vendas dhe ndërkombëtar ishin dëshmitarë të shkeljes brutale të procedurave nga ana e Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe vjedhjes evidente partiake dhe institucionale të vullnetit zgjedhor me vendimet joligjore për rivotim në vendvotimet e përcaktuara paraprakisht.
“Ftojmë institucionet që të respektojnë ligjin, mos të lejojnë kapjen e shtetit dhe mos të bien nën ndikime dhe presione të partive politike! Gjithashtu ftojmë edhe komunitetin ndërkombëtar që të ndjekë me vëmendje këtë proces kaq të rëndësishëm! Edhe monitoruesit vendas, edhe monitoruesit ndërkombëtarë konstatuan se zgjedhjet e 24 prillit dhe zgjedhjet e 8 majit ishin në kuadër të standardeve më të mira demokratike, europiane dhe si të tilla vetëm ndërtojnë imazhin e shtetit, imazhin e votuesit por edhe imazhin e institucioneve. Tentimet për njollosje të këtij imazhi për qëllime të ulëta partiake dhe urrejtjes etnike nuk do të lejohet!”, theksoi ai.



