MaqedoniTopLajm

Osmani: Bullgaria nuk i konteston atributet e identitetit, por bazën e tyre historike

Linjat e tona të kuqe në raport me gjuhën, popullin, përkatësinë etnike, janë të qarta dhe të pakompromistë dhe më vjen mirë që Bullgaria ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk i kontestojnë atributet e identitetit, deklaroi për MIA-n, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë vizitës së sotme në Luksemburg, transmeton Portalb.mk.

“Që t’i qaseni problemit, duhet mirë ta definoni atë, ekzistojnë perceptime të ndryshme edhe te ne edhe në Bullgari edhe në BE. Ne nuk bisedojmë për atribute të identitetit, çështjen që ka ngritur Bullgari është bazë historikë e atyre atributeve. Qëndrimi ynë është se për historinë mund të bisedojmë në funksion të arsimit dhe të korrigjimit të stereotipeve që i paraqesin popujt tanë si armiq”, deklaroi Osmani.

Siç theksoi ai, kjo konkretisht nënkupton se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj implementimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe në punën e komisionit të përbashkët për çështje të historisë dhe arsimit. Sipas tij, këtu duhet të punohet në tekstet shkollore dhe “karakteristika nga e kaluara” të cilat i lëndojnë ndjenjat e Bullgarisë fqinje, si për shembull përdorimi i epitetit “fashist”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close