BotaLajmeTopLajm

Organizata Botërore e Shëndetësisë: Situata në Gaza po del jashtë kontrollit

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se situata lidhur me shëndetin në Gaza po del jashtë kontrollit dhe se po shënohen humbje për çdo sekondë në pritje për dërgimin e ndihmave mjekësore, transmeton Anadolu.

Ghebreyesus bëri një postim nga platforma e medias sociale X lidhur me situatën shëndetësore në Gaza

“Situata në Gaza po del jashtë kontrollit dhe po japim humbje në çdo sekondë, që presim për dërgimin e ndihmës mjekësore”, tha Ghebreyesus, duke theksuar se produktet mjekësore që OBSH-ja ka dërguar në rajon për Gazën janë në pritje prej 4 ditësh.

Ghebreyesus theksoi se ka nevojë për qasje urgjente për të filluar dërgimin në Gaza të produkteve mjekësore që shpëtojnë jetë dhe më tej ai shtoi se duhet të ndalet dhuna mes palëve.

Konflikti Izraeli-Palestinë

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 304 ushtarë kanë humbur jetën 1.405 izraelitë, ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë mbi 3.300 palestinezë, ndërsa janë plagosur mbi 13 mijë të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 62 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.

Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 13 gazetarë.

Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 2 civilë, 8 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez dhe 1 gazetar. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundmi, 500 palestinezë janë vrarë në sulmin që Izraeli ndërmori ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza.

Related Articles

Back to top button
Close
Close