BotaLajme

Norvegjia braktis hotelin para çerekfinales me Anglinë, ankesa për dhoma të papastra dhe kantier ndërtimi

Kombëtarja e Norvegjisë ka vendosur të ndryshojë hotel vetëm pak ditë para çerekfinales së Botërorit 2026 ndaj Anglisë, pas ankesave të lojtarëve për kushtet e akomodimit.

Skuadra e drejtuar nga Erling Haaland mbërriti në Miami të hënën dhe u sistemua në hotelin “The Dalmar” në Fort Lauderdale, ku u prit nga stafi i FIFA-s, drejtuesit e hotelit dhe forcat e policisë. Megjithatë, qëndrimi zgjati vetëm një ditë.

Sipas mediave norvegjeze, hoteli ndodhej pranë një rruge shumë të ngarkuar dhe një kantieri të madh ndërtimi, ndërsa plazhi ishte gati katër kilometra larg.

Për më tepër, disa lojtarë u ankuan për dhoma me erë tymi, lagështirë dhe pastrim të dobët.

“Kemi ndërruar hotel sepse donim kushte më të mira. Jemi në javën e gjashtë të turneut dhe ndeshja që kemi përpara është më e rëndësishmja në historinë tonë. Nuk donim të rrezikonim që situata të ndikonte te ekipi”, deklaroi kreu i delegacionit norvegjez, Truls Daehli.

Ai theksoi se FIFA bashkëpunoi plotësisht për ta bërë të mundur zhvendosjen, duke vazhduar të mbulojë shpenzimet për dhomat, sigurinë dhe transportin, ndërsa diferencën e çmimit për hotelin më luksoz do ta paguajë Federata Norvegjeze e Futbollit.

Norvegjia do të përballet me Anglinë të shtunën në mbrëmje në çerekfinalen e Botërorit, në një ndeshje historike për skandinavët, të cilët synojnë një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close