OpinionTopLajm

Njeriu ka nevojë për njerëz

Njeriu është qenie e kufizuar. Kufizueshmëria i pamundëson njohjen e të gjitha arteve dhe mjeshtërive. Është pikërisht kjo kufizueshmëri që e detyron njeriun të hyjë në bashkëpunim, duke dhënë e duke marrë gjatë gjithë jetës. Ky bashkëpunim bëhet më i dashur, më i kërkuar në gjendje të vështira.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Qenia njerëzore është e paracaktuar të jetojë e bashkëveprojë me qenie të llojit të vet dhe jo vetëm. Qysh në krye të herës, kur njeriu zbriti në tokë, kemi bashkëveprimin burrë – grua, njeri – natyrë, njeri – univers. Pa këtë bashkëveprim as jeta nuk do t’i kishte ngjyrat që ka, tonalitetin dhe muzikalitetin që e karakterizon. Melodia jetësore merr tonalitete të ndryshme. Herë e gëzueshme. Herë si në vaj. Herë ekspresive. Herë melankolike e dhimbjendjellëse. Herë e shtruar dhe e qetë. Herë e rrëmbyer dhe e furishme. Herë me ritme vallëzuese e herë me ritme funebër. Në mes gjithë këtyre kohëve muzikore gjendet njeriu, që për ta plotësuar pentagramin jetësor duhet të lëvizë sipas ritmikës dhe muzikalitetit për ta gjetur harmoninë, në mënyrë që çdo pjesë muzikore e jetës së vet të marrë kuptim, duke qenë pjesë e së tërës. Ndodh që pjesë të veçanta të mos na tërheqin ose të na duken deri dhe pa kuptim. Kur ato bashkohen e bëhen një, atëherë simfonia jetësore merr trajtë të plotë dhe vlera e saj del në pah e pacenuar, edhe pse më parë dukej si vepër pa ndonjë vlerë të dukshme.

Mes gjithë kësaj vorbulle njeriu qëndron sa vetëm, po aq edhe me qeniet e tjera. Njeriu është krijesë që ka nevojë për larmishmëri gjendjesh. Nëse jeta do të ishte e njëtrajtshme, mërzia me siguri do të ishte mbytëse për njeriun. Shpesh njeriu, duke dashur t’i japë jetës larmishmëri, “pa dashje” rrëshqet në vepra të cilat jo vetëm nuk i sjellin kënaqësinë e pretenduar, por ia pështjellojnë edhe më shumë gjendjen shpirtërore, duke e zhytur në frikë, pasiguri, ankth dhe shqetësim të vazhdueshëm. Mund edhe të mos i manifestosh këto gjendje në çaste të caktuara, por në një kohë ose në një tjetër këto gjendje do të shpërfaqen me gjithë fuqinë e tyre, duke sjellë det me dallgëzime dhe shkulme të forta. Lundrimi mes këtij deti kërkon që të jesh timonier i zoti, i aftë, i guximshëm për të mos e lëshuar për asnjë çast nga duart timonin. Nëse timonieri humbet nga duart timonin, dallgët do ta dërgojnë anijen atje ku ato duan. Por, krahas timonierit, edhe rremtarët duhet të jenë të pajisur me po ato cilësi si të tij. Në të kundërt, lundrimi kthehet në makth, pa qenë e rëndësishme në është natë apo ditë.

Përballimi i udhëtimit kërkon bashkërendim lëvizjesh mes timonierit dhe rremtarëve. Pa këtë bashkëpunim, si i vetëm timonieri do t’i humbte shpresat. Humbja e shpresës do ta ligështonte. Do t’ia ndrydhte fuqinë. Do ta sillte në gjendje kritike. I vetëm në mes të dallgëve të tërbuara do të shkurajohej dhe do të priste ndanë timonit fundin e pashmangshëm. Në lundrime të rrezikshme vetmia është edhe më e rrezikshme.

Njeriu është qenie e kufizuar. Kufizueshmëria i pamundëson njohjen e të gjitha arteve dhe mjeshtërive. Është pikërisht kjo kufizueshmëri që e detyron njeriun të hyjë në bashkëpunim, duke dhënë e duke marrë gjatë gjithë jetës. Ky bashkëpunim bëhet më i dashur, më i kërkuar në gjendje të vështira. Sado analiza të thella të bëjë njeriu ndaj gjendjeve që kalon, nuk mund të jetë kurrë gjakftohtë. Marrja e vendimeve kërkon gjakftohtësi. Nëse njeriu është i përfshirë nga vorbulla e gjendjeve, e ka të vështirë t’u shpëtojë ndjesive në marrjen e vendimeve. Vendimet që merren në stuhi e sipër të gjendjeve emocionale, shpesh rezultojnë si jo të drejta. Por, sido që të rrjedhin gjërat, njeriu duhet të jetë i drejtë në vendimmarrje. Është drejtësia ajo që kërkon të jesh i matur, madje edhe atëherë kur tërbimi e zemërimi shpërthejnë si llavë vullkani. Pikërisht në këtë gjendje njeriu ka më shumë se kurrë nevojë për njerëz. Ka nevojë për njerëz që ta këshillojnë e përkujtojnë se duhet të qëndrojë në kufijtë e drejtësisë sado i vështirë të jetë vendimi që duhet të marrë. Duhet të kthjellohet e të qartësohet me këshilla që kanë si qëllim ta shuajnë ecjen drejt ligësisë, pabesisë dhe egoizmit fodull. Në çaste të tilla njeriu e kupton se sa i rëndësishëm është njeriu këshillues me zemër të pastër dhe të sinqertë. Ka edhe këshillues që të fryjnë pas veshit dhe kërkojnë ta ndezin zjarrin e ligësisë në zemrat që vuajnë nga dyshimet dhe dobësitë. Njeriu i mençur i njeh dhe kupton natyrat e njerëzve që e rrethojnë. Mbi bazën e kësaj njohjeje e formon rrethin e miqve, të cilëve mund t’ua besojë freskimin e shpirtit në ditë të vështira me këshilla të urta, të mençura e të dëlira.

Nevoja për të tillë njerëz vlerësohet më së shumti në periudha kohore kur njerëzit janë bjerrë prej virtyteve dhe në vend të tyre ia kanë hapur derën pafytyrësisë dhe pabesisë. Nëse ke njohur të tillë njerëz, quaje veten fatlum dhe lufto të qëndrosh mik i tyre. Nëse ende nuk i ke gjetur, lufto që t’i gjesh. Pa njerëz të mirë, pa miq të mirë, jeta do të ishte tepër e zymtë dhe e trishtueshme. Prandaj njeriu nuk ka nevojë vetëm për njerëz që lëvizin e gjallojnë rreth tij, por ka nevojë për njerëz me zemra të pastra, të sinqerta dhe qëllime fisnike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close