
Qeveria Kurti duket se assesi nuk po arrin të ndërtojnë një raport të shëndoshë me mediat. Në fakt, ditët e fundit kanë qenë ditë intensive sa i përket përplasjes së Qeverisë me mediat, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sveçla në vend të përgjigjes, i ka quajtur “budallallëqe” pyetjen e gazetares, Besarta Hoti, për punësimin e motrës së tij.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke potencuar edhe faktin se Ministria e Sveçlës, ashtu edhe si shumë dikastere të tjera në Qeveri janë hermetike në raport me mediat.
Sipas AGK-së, sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale, me konotacione seksiste, si dhe përgjigja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren.
“Përgjigja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren. AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Dy ditë pas këtij zhvillimi, ishte kreu i Qeverisë, Albin Kurti ai që i dha “flakë” një debati tjetër.
Kurti derisa u pyet nga gazetarët rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se si Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armatim në Kosovë, zgjodhi që në vend se t’ia kthejë një përgjigje Vuçiqit të merret me gazetarët duke u thënë atyre: “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë” .
Në insistimin e gazetarëve, Kurti vazhdoi me përgjigje konfrontuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Unë iu përgjigja juve, ju lutem mos i merrni deklaratat e tyre për fakte me të cilat pastaj na bëni pyetje neve” ka thënë ai.
Pas këtyre deklaratave të Kurti, Gazeta Express publikoi një artikull me titull “Kurti sulmon ulët gazetarët, i konsideron të manipuluar nga Beogradi”.
Me këtë artikull gjerë e gjatë u mor zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili publikoi një artikull të këtij mediumi të muajve më parë, ku gjatë përkthimit nga gjuha serbe, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i ishin referuar si “presidente e institucioneve të përkohshme”.
Drejtori i Gazetës Express, Leonard Kërquki reagoi duke akuzuar Kryeziun për “postime fake”, pasi siç tha Kërquki, ai e di shumë mirë se artikulli është publikuar më parë dhe nuk është i ditëve të fundit.
Kërquki e quajti Kryeziun “zëdhënës fake” dhe “kukull” në rolin që ai bën derisa tha se “Qeveria, VV dhe Kryeministrit duhet të distancohen nga ky palaço”.
“Zedhenesi sigurisht e di kete, por qellimisht ben kesi postime fake, sepse i njejte eshte Fake Zedhenes; sepse zedhenien e kryen tjeter kush. Eshte thjesht kukull. Kukull qe paguhet nga taksat tona. Qeveria, VV dhe Kryeministrit duhet te distancohen nga ky palaço. p.s Lajmi eshte publikuar ne qershor 2021”, ka shkruar Kërquki në reagimin e tij.
Megjithatë, edhe pas sqarimit të Kërqukit, Kryeziu bëri edhe një reagim tjetër në rrjetin sociale Facebook.
Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës është pyetur nga deputetët për disa trajnime që kishin të bënin me njërin nga zyrtarët e ministrisë.
E në deklarim e sipër, ministrja Hajdari tha se “ka marrë shumë shantazhe nga mediat”.
“Po marr shantazhe nga mediat, jo trajnimi, jo edukimi e të tjera. N k janë nënshkruar marrëveshjet në hotelin e lartcekur, por ka qenë një tjetër. Ne kemi trashëguar një ministri ku nuk kemi vend për mbi 130 persona”, tha ministrja Hajdari.
Nuk dihet se për çfarë saktësisht fliste ministrja, pasi që nuk e sqaroi por ajo tha se këto “shantazhe”, kishin të bënin me trajnime e edukime.
Në vazhdën e tërë këtyre sulmeve ndaj mediave në vend, Kosova u tregua mikpritëse me gazetarët ukrainas.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Kurti, ka pritur gazetaren e parë në Kosovë nga Ukraina. Ai, në zyrën e tij, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase e strehuar në Kosovë.
Si për ironi, dy ditë pas ofendimit publik, nga pozicioni zyrtar i tij, ndaj një gazetareje të vendit prezent në takim ishte edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Gjatë vitit të parë të qeverisjes Kurti 2, nuk munguan as etiketimet e rënda për mediat si “kompani të kriminalizuara’’.
Një ditë para se Qeveria Kurti 2 të mbushte një vit jetë, shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, njoftoi se kanë ndërprerë kontratat me portalet duke theksuar se një metodë e tillë “është përdorur nga qeveritë e kaluara për ta blerë heshtjen e portaleve’’.
“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjesht për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së “lajmeve’ të tyre.” – ka shkruar.
Ndaj kësaj gjuhe reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke i cilësuar deklaratat e Dalipit si ‘‘shumë të rrezikshme’’ dhe ‘‘thirrje të hapur për linqim’’.
Raporti thekson se gazetarët në Kosovë u kërcënuan për publikimin e artikujve që kritikonin punën e Qeverisë, partive politike apo zyrtarëve të veçantë, shkruan Reporteri.net.
Raporti po ashtu thekson se ka pasur raportime në disa raste që pronarët e mediave kërcënuan se do t’i pushonin nga puna gazetarët nëse ata prodhojnë artikuj ku kritikohet puna e Qeverisë.
Raporti i DASH po ashtu evidenton se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike.



