EkonomiLajmeMaqedoni

Nikolloski në takime në FMN – Politikat e e qëndrueshme ekonomike nxisin përshpejtimin e rritjes ekonomike

20 prill 2024, Washington – Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të zhvillojë politika të qëndrueshme ekonomike. Politika fiskale reagoi në mënyrë adekuate në përballimin e krizës, ndërsa pikësynimi i vendosur për konsolidim fiskal në periudhën e ardhshme përmes kursimeve dhe përkrahjes më të madhe të ekonomisë me investime është bazë për përshpejtimin e rritjes ekonomike në periudhë afatmesme.

Qeveria vazhdon me përkushtimin ndaj reformave që janë kruciale për progresin dhe arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike dhe integrimit të përshpejtuar në BE. Progresi në procesin eurointegrues dhe realizimi i Planit të ri evropian të rritjes për Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu kontribut shtesë në përballimin e politikave të përcaktuara.

Kjo u theksua në takimet e zëvendësministrit të Financave Filip Nikolloski në Washington me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së Bo Lee, drejtorin ekzekutiv të FMN-së Paul Hilbers, drejtorin ekzekutiv alternativ Luc Dresse, si dhe drejtorin e FMN-së për Evropën Alfred Kammer.

“Në dy vitet e fundit, RMV-ja ka marrë përkrahje të konsiderueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që njëkohësisht ishte konfirmim i politikave të qëndrueshme ekonomike që i zbaton. Me qasje në Programin e likuiditetit dhe përkujdesjes konfirmuam politikat e qëndrueshme, ndërsa nga FMN-ja u vlerësua pozitivisht rishikimi i parë i PLL-së, që mundësoi tërheqjen e transhesë së dytë të mjeteve financiare të këtij instrumenti. Vijojmë drejt rrugës së konsolidimit gradual fiskal, uljes së deficitit buxhetor, rritjes së mjeteve për investime publike, nxitjes së rritjes ekonomike, si dhe arritjes së normave mesatare të rritjes prej 5%”, theksoi zëvendësministri Nikolloski.

Ai shtoi se këtë vit pritet intensifikimi i aktivitetit ekonomik, që do të nxitet me rritje të pjesëmarrjes së shpenzimeve kapitale në buxhet, investimet e mëdha në projektet infrastrukturore, si dhe konsumin privat, i përkrahur nga rritje e pagave.

Ai shtoi se, ndikim shtesë, përveç faktorëve të brendshëm, do të ketë edhe mbi pritshmëritë për normalizimin e mjedisit global, stabilizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit, rritjen e aktivitetit ekonomik midis partnerëve tanë kryesorë tregtarë etj.

“Kontributi më i madh në rritje në vitin 2024 pritet nga investimet bruto me rritje të planifikuar prej 8.4%, kryesisht të nxitur nga intensifikimi i realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore në korridoret 8 dhe 10, rritja e besimit tek investitorët, fluksi hyrës i pritshëm i investimeve të huaja direkte, rritja e interesit për investime në burimet e ripërtritshme të energjisë, rritja e aktivitetit në zonat industriale dhe investimet e reja të paralajmëruara që do të kontribuojnë në rritjen e eksportit prej 4.6%, si dhe konsumi privat i cili pritet të ketë rritje reale prej 3.1% dhe kërkesa e jashtme e bazuar në përmirësimin e mjedisit të jashtëm, përkatësisht rritje në Eurozonë dhe rritje të aktivitetit ekonomik në Gjermani”, theksoi zëvendësministri i Financave, i cili vuri në dukje edhe pritshmëritë nga zbatimi i Planit evropian të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe aktivitetet që zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar në këtë proces dhe sigurisht në drejtim të stabilizimit të inflacionit.

Zëvendëministri vlerëson se mjedisi i tillë i favorshëm do të krijojë bazën për riorientimin e politikave qeveritare nga përballimi me krizat në realizimin e rritjes së aktivitetit ekonomik, me ç’rast potencon se për shkak të risqeve dhe sfidave që janë ende të pranishme, në Buxhetin e këtij viti janë siguruar mjete për tejkalimin e situatave të caktuara të krizës.

Takimet u mbajtën në kuadër të Takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington, ku mori pjesë zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska Bezhoska. Në Washington, ata do të mbajnë takime me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, përkatësisht me zëvendëskryetaren e Bankës Botërore Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore Eugene Rhuggenaath, si dhe drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.

Related Articles

Back to top button
Close
Close