
Stephen “Kiki” Ramos po e tërheq vëmendjen si një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas.
Sulmuesi i ri i Vélez Sarsfield e ka marrë ftesën e parë nga Kombëtarja U-17 e Argjentinës, duke u bërë futbollisti i parë me origjinë haitiane që grumbullohet nga “Albiceleste”.
Historia e tij është e jashtëzakonshme, shkruan “Marca”, përcjell “Gazeta Express”.
Ramos u lind në Port-au-Prince, Haiti, por kur ishte ende foshnjë u adoptua nga një familje argjentinase dhe u rrit në Argjentinë.
Pikërisht për këtë arsye ai është ndier gjithmonë argjentinas dhe ka ëndërruar ta veshë fanellën bardhekaltër.
Edhe pse Federata Haitiane e Futbollit ishte interesuar ta bindte që ta përfaqësonte vendin e lindjes në ekipet zinxhir, “Kiki” nuk e fshehu kurrë dëshirën e tij.
“Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaj për Argjentinën.”
Karriera e tij nisi pothuajse rastësisht. Kur ishte vetëm gjashtë vjeç, një fqinj e vuri re talentin e tij gjatë ndeshjeve në lagje dhe i sugjeroi familjes ta çonte në një provë te Vélez Sarsfield. Ajo provë ia ndryshoi jetën.
Që nga ai moment, Ramos u zhvillua në akademinë e klubit, duke u kthyer në një nga talentet më të spikatura të brezit të tij.
Në vitin 2026 ai i ka shënuar 12 gola me ekipin e gjashtë të Vélez, përfshirë katër gola në një ndeshje kundër Atlético Rafaela dhe një tjetër ndaj Boca Juniors.
Trajneri i Argjentinës U-17, Diego Placente, e përfshiu në grumbullimin për përgatitjet drejt Kupës së Botës U-17, ku Argjentina synon të jetë protagoniste.
“Kiki” njihet për shpejtësinë, fuqinë fizike dhe aftësinë për t’i kaluar kundërshtarët në situata një kundër një.
Për shkak të stilit të lojës dhe ngjashmërisë fizike, shumë e krahasojnë me Kylian Mbappé, megjithëse trajnerët e akademisë së Vélez besojnë se ai ka karakteristika unike që mund ta çojnë shumë larg në futbollin elitar.



