Qeveria ka ndarë 65 milionë euro nga buxheti i shtetit për fillimin e ndërtimit të kampusit universitar të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në Sheshin “Skënderbeu”. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili theksoi se të gjitha përgatitjet janë bërë dhe realizimi i projekteve do të nisë shumë shpejt, përcjell PressOnline.al.
“Gjithçka është gati për fillimin e tyre. Këto investime do të sjellin përfitime afatgjata për studentët, qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Shkupit. Sot pata një takim të rëndësishëm me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë dhe përfaqësues nga Komuna e Çairit, ku u dakorduam për hapat konkretë që do të sigurojnë nisjen e menjëhershme të këtyre projekteve”, deklaroi Mexhiti.
Prej disa vitesh është paralajmëruar ndërtimi i këtij kampusi. Edhe ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, kishte folur për sigurimin e investimeve për modernizimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, krahas kampuseve të Universitetit më të madh në vend, “Shën Kirili dhe Metodi”.
Në shtator të vitit të kaluar qeveria kishte vendosur të ndajë 34,5 milionë euro për këtë projekt, ndërsa sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2024, në Universitetin “Nënë Tereza” studiojnë 1.883 studentë. Për momentin, nuk ka paralajmërime të ngjashme për investime në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ku studiojnë mbi 20.892 studentë. (PressOnline.al)



