
“Burim kryesor të ujit, banorët e fshatit Merovë i kanë puset, por edhe këto çezma publike që nuk dihet nëse janë apo jo të sigurta, për të pirë ujë. Situata rëndohet edhe më shumë gjatë stinës së verës, kur vijnë edhe mërgimtarët, dhe kur këta çezma publike dhe puset, fillojnë që të shteren”.
Banorët thonë se problemi daton që nga vitet e 90-ta dhe që atëherë, kanë kaluar shumë krerë komunash por zgjidhje nuk ka pasur.
“Që në 98-tën. Një bunar e hapën e bënë kanalizimin dhe mbeti kështu. Vitin e shkuar erdhën sërish dhe kanë punuar por sa si nuk e dimë. Nuk dimë asgjë. Disa me puse gjinden, se dimë duhet të jenë të sigurt. Uji i komunës ende nuk ka ardhur nëpër shtëpi, nuk kemi dalë ta shohim por vetëm thonë punohet”, tha një banor.
“Ujë nëpër shtëpi kemi vetëm nga puset dhe të mëhallës. Gypat janë vënë tash presim të lëshohet uji. Dikush i ka bë analizat ka ndonjë të pastër por ndonjëri jo, po të paktën bëjmë zgjidhje t’ia kalojmë. Besojmë se do kryhet uji se na kanë dhënë shpresa”, shprehet nje banor i Merovës.
Komuna e Zhelinës, që prej muajsh, ka filluar projektin e ujësjellësit në Merovë, por assesi të përfundoj. Kreu i komunës, ka premtuar sërish se është çështje javësh kur banorët do të kenë ujë për pije.
“Në Merovë nuk është se e kemi lëshuar ndonjëherë, ne kemi punuar dhe kemi thënë se jemi duke punuar. Brenda dy javësh presim ta lëshojmë në përdorim. Kemi pasur ca defekte lidhur me kyçjen në rrjetin elektrik shkaku se bartja apo përçimi i ujit atje do bëhet përmes rrymës”, tha Blerim Sejdiu – Kryetar i komunës së Zhelinës.
Deri në zgjidhjen e problemit banorët zgjidhjen e gjejnë te hapja e puseve dhe duke grumbulluar ujin e malit për të krijuar burime. Por thonë se analizat e ujit shpesh tregojnë se nuk është për pije.



