
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, pasi temperaturat e larta dhe erërat e forta krijojnë kushte ideale për përhapje të shpejtë të zjarreve.
Sezoni i zjarreve në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në një nga fazat më kritike. Flakët dje iu afruan rrezikshëm shtëpive në Bogomilë dhe në disa fshatra të Pellagonisë, ndërsa më shumë se 40 zjarre në hapësira të hapura u regjistruan brenda një dite. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, vullnetarëve dhe banorëve lokalë, u shmang një katastrofë më e madhe, ndërsa mëngjesin e sotëm gjashtë zjarre vazhdojnë të jenë aktive në pjesë të ndryshme të vendit.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, e cilësoi të enjten ditën më të vështirë të këtij sezoni për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë ndaj zonave të banuara. “Dita e djeshme ishte dita më e vështirë e sezonit të zjarreve deri më tani. Falë reagimit të guximshëm dhe të shpejtë, para së gjithash të banorëve lokalë, u parandalua një katastrofë”, deklaroi Angellov.
Situata më kritike ishte në fshatin Bogomilë, në Komunën e Çashkës, ku zjarri iu afrua shtëpive të para. Banorët, së bashku me zjarrfikësit nga Velesi, arritën ta ndalojnë përhapjen e flakëve drejt fshatit. Edhe më e vështirë ishte situata në Pellagoni, ku zjarri rrezikoi fshatrat Ivanevc, Loznan dhe Novosellën. Angellov veçoi veprimin e një banori 34-vjeçar të Ivanevcit, Aleksandar Çepigovski, i cili me traktor hyri drejtpërdrejt në vijën e zjarrit dhe ndihmoi në ndalimin e përhapjes së flakëve. “Me traktorin e tij të madh, ai hyri drejtpërdrejt në vijën e zjarrit, duke lëruar nëpër të dhe duke shuar një pjesë të madhe të zjarrit që rrezikonte shtëpitë në Loznan. Beteja ishte jashtëzakonisht e vështirë”, tha Angellov.
Në Loznan, zjarri në një moment ishte vetëm rreth 50 metra larg shtëpive të para. Në terren u angazhuan katër automjete speciale të DMSH-së, zjarrfikës nga Manastiri dhe 20 pjesëtarë të Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “Arhangell” nga Manastiri. Një person është lënduar gjatë përballjes me flakët dhe është dërguar në spital për shkak të djegieve në duar.
GJASHTË ZJARRE MBETEN AKTIVE
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, deri në orën 7:30 të mëngjesit janë evidentuar gjithsej 40 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, gjashtë janë aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa 31 janë shuar. Zjarret aktive janë në territorin e Komunës së Studeniçanit, mbi fshatrat Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gabër; në Komunën e Makedonski Brodit, në lokalitetin Vidush dhe pranë fshatit Dragov Dol; në Komunën e Manastirit, pranë fshatit Lopaticë; në Komunën e Novacit, pranë fshatrave Makovë, Mojno dhe Brnik; në Komunën e Krushevës, në drejtimin Aldancë-Norovë; si dhe në territorin e Velesit, pranë fshatit Slp. Nën kontroll janë zjarri pranë deponisë në Dellçevë, zjarri në Komunën e Mogillës, pranë fshatrave Loznan dhe Vasharejcë, si dhe zjarri pranë fshatit Kopancë në Komunën e Jegunovcës.
VËSHTIRËSI NË TERREN TË PAARRITSHËM
Si veçanërisht sfidues vlerësohet zjarri në territorin e Makedonski Brodit, ku flakët kanë përfshirë terren shkëmbor dhe të vështirë për t’u arritur. Atje është angazhuar moduli i specializuar për zjarre pyjore i DMSH-së, i përbërë nga 25 vullnetarë dhe pesë operativë. Ndërkohë, vazhdon lufta edhe me zjarrin në zonën e fshatit Ramni Gabër në Komunën e Studeniçanit. Në ndërhyrje janë përfshirë tre “air-tractor”, një avion i MPB-së dhe ekipe tokësore të DMSH-së. Për momentin, zjarri nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, por situata po monitorohet nga afër.
MJAFTON NJË SHKËNDIJË PËR KATASTROFË
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, pasi temperaturat e larta dhe erërat e forta krijojnë kushte ideale për përhapje të shpejtë të zjarreve. “Numri prej mbi 50 zjarresh i ka lodhur seriozisht kapacitetet tona. Mjafton vetëm një shkëndijë që të ndodhë një katastrofë e vërtetë”, ka paralajmëruar Angellov.
Rreziku nga zjarret është i pranishëm edhe në vendet fqinje. Në Greqi, pesë familje nga Maqedonia e Veriut deri më tani kanë kërkuar ndihmë ose asistencë për evakuim nga zonat e përfshira nga zjarret. Sipas informacionit nga përfaqësia diplomatike-konsullore në Selanik, në koordinim me autoritetet greke, familjet janë drejtuar drejt pikave më të afërta të përcaktuara për evakuim, ku janë sistemuar bashkë me turistë të tjerë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u ka bërë thirrje shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në zonat e prekura nga zjarret në Greqi dhe kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë numrat kujdestarë të Ministrisë dhe Konsullatës së Maqedonisë së Veriut në Selanik.



