
Nuk janë vetëm deputetët e VLEN-it, Adnan Azizi dhe Bekim Qoku, të cilëve u është ndaluar hyrja në Shqipëri. Sipas burimeve të gazetës KOHA, autoritetet shqiptare kanë ndaluar hyrjen edhe për dhjetëra aktivistë dhe persona të afërt me VLEN-in, shumica prej tyre nga rajoni i Tetovës.
Të shtunën rreth mesditës, nga pika kufitare e Bllatës janë kthyer mbrapsht disa automjete me aktivistë të VLEN-it, të cilët po tentonin të hynin në territorin shqiptar e që ishin nisur për të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë shqiptare.
Në mesin e tyre kishte persona të afërt me deputetin Adnan Azizi dhe me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në grupin e personave që nuk janë lejuar të kalojnë kufirin kishte edhe këshilltarë komunalë nga Tetova, Zhelina dhe Tearca.
Lajmin se aktivistë të VLEN-it janë kthyer nga kufiri e ka konfirmuar edhe deputeti Adnan Azizi. Në një deklaratë për TV KOHA, ai tha se gjatë ditës është kontaktuar nga shumë aktivistë të partisë.
“Më kanë telefonuar shumë aktivistë duke u ankuar se policia shqiptare nuk u ka lejuar hyrjen në Shqipëri”, deklaroi Azizi për TV KOHA.



