LajmeMaqedoni

Ndalimi i tre zyrtarëve në kufi, VLEN kërkon përgjigje nga Tirana

VLEN ka reaguar pas ndalimit të tre zyrtarëve të saj në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke kërkuar sqarime zyrtare nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë për arsyet e këtij veprimi. Në reagimin e saj, VLEN bën të ditur se koordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë në kufi, ndonëse, sipas tyre, të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.

Sipas VLEN-it, gjatë ndalimit nuk u është dhënë asnjë shpjegim zyrtar, ndërsa informacioni i vetëm i komunikuar në mënyrë jozyrtare nga policia kufitare ka qenë se ndaj tyre ekzistonte një ndalesë hyrjeje në territorin e Shqipërisë.

“Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur”, thuhet në reagimin e koalicionit. VLEN kërkon nga institucionet shqiptare të sqarojnë publikisht nëse ekziston një masë e tillë kufizuese ndaj tre zyrtarëve të saj dhe, nëse po, të bëjnë të ditur se kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete që kanë çuar në ndalimin e tyre.

Sipas VLEN-it, një veprim i tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë nuk mund të mbetet pa shpjegim publik. “Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thuhet në fund të reagimit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close