
Derisa në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Diabetit, në vendin tonë pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje kronike po e presin ditën simbolike me ankth e pasiguri, shumë prej tyre janë pa insulinë, ndërsa furnizimet nëpër institucione shëndetësore vijojnë të jenë të kufizuara. Problemi nuk është i ri, por duket se po përsëritet me të njëjtin intensitet, pavarësisht premtimeve institucionale për zgjidhje, shkruan gazeta KOHA.
Sipas të dhënave të Atlasit të Diabetit të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, në Maqedoninë e Veriut janë rreth 190 mijë persona me diabet, prej të cilëve mbi 60 mijë përdorin terapi me insulinë. Por numri real mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë raste mbeten të padiagnostifikuara. Në disa rajone, mungesa e mjekëve specialistë dhe vonesat në diagnostikim po çojnë drejt komplikimeve serioze si këmba diabetike, problemet kardiovaskulare dhe dëmtimet e veshkave.
Në Kliniken Universitare të Endokrinologjisë, Irfan Ahmeti, drejtor dhe endokrinolog me përvojë mbi dy dekada, e quan situatën alarmante dhe kërkon që furnizimi me insulinë të mos varet nga procedura burokratike. “Në ditët e fundit kemi marrë shumë ankesa nga pacientë që nuk arrijnë të sigurojnë insulinën e zakonshme, veçanërisht në qytetet jashtë Shkupit. Arsyeja qëndron në vonesat e furnizimeve për shkak të procedurave të prokurimit dhe problemeve logjistike me disa lloje të insulinës që importohen. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur situatën brenda pak ditësh, sepse çdo vonesë e tillë për pacientët me diabet është potencialisht e rrezikshme për jetën,”, theksoi Ahmeti për gazetën KOHA.
Ai shtoi se është koha që Maqedonia të krijojë rezervë shtetërore të insulinës, në mënyrë që asnjë pacient të mos mbetet pa terapi në rast krize furnizimi. Sipas tij, përveç sigurimit të terapisë, parandalimi dhe edukimi shëndetësor duhet të jenë prioritet kombëtar. “Në vend që të reagojmë vetëm kur mungon insulina, duhet të ndërtojmë një sistem që e parandalon sëmundjen dhe e mban pacientin nën kontroll të vazhdueshëm. Diabeti nuk është vetëm çështje e një pacienti apo e një klinike, është çështje kombëtare që lidhet me mënyrën si ushqehemi, si lëvizim dhe si kujdesemi për veten. Në Klinikën e Endokrinologjisë po punojmë për të forcuar programet edukative dhe për të promovuar diagnostikimin e hershëm, sepse çdo vonesë në trajtim do të thotë komplikime që mund të shmangen”, përfundon ai, duke apeluar për një sistem më të qëndrueshëm që nuk varet vetëm nga një operator tregtar apo nga vonesat e tenderëve, pasi sipas tij, bëhet fjalë për terapi jetësore, jo për produkte që mund të zëvendësohen me alternativa të përkohshme.
Megjithëse Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, kishte premtuar që para katër muajve se çështja e furnizimit me insulinë do të zgjidhej përfundimisht, pacientët ende po përballen me të njëjtat probleme. Nga ana tjetër, shoqatat e pacientëve raportojnë se mungesat e vazhdueshme po i detyrojnë shumë njerëz të blejnë insulinë në tregun privat, ku çmimet janë disa herë më të larta. Shumë prej tyre përballen edhe me mungesë të sensorëve dhe shiritave për matjen e glukozës, të cilat shpesh mungojnë në listat e rimbursimit.
Ndër të tjera, në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se diabeti është shndërruar në një nga sëmundjet më të përhapura në botë, me mbi 540 milionë të rritur që jetojnë me të, ndërsa deri në vitin 2045 ky numër pritet të arrijë në 783 milionë. Në Maqedoninë e Veriut, rritja e rasteve të reja lidhet drejtpërdrejt me obezitetin, mungesën e aktivitetit fizik dhe dietën e pabalancuar, faktorë që kërkojnë ndërhyrje të gjerë shëndetësore dhe edukative. (koha.mk)



