KulturëLajmeMaqedoni

Ndërthurje në magjinë e Teatrit! Intervistë me drejtorin e Teatrit Shqiptar, Adem Karaga

Teatri Shqiptar – Shkup, nuk është thjesht një institucion kulturor, ai është një histori gjallë dhe një institucion i cili përmes trupit teatral kritikon veset dhe emancipon komunitetin shqiptar në vend. Është e vërtetë që në të kaluarën artistët ishin fanari intelektual për shoqërinë, por as sot nuk mund të mohohet rëndësia dhe pesha që kanë arti dhe artistët. Meqë në sferën mediatike dominon politika dhe komercialja, lihet përshtypja që arti është më pak prezent në zhvillimet shoqërore, por ai vazhdon të jetë në krye të misionit për të mbajtur gjallë vlerat e mirëfillta të një populli, shprehet në një intervistë, drejtori i teatrit shqiptar Adem Karaga

KARAGA: Kjo periudhë gjithmonë shënon rrumbullaksimin e punës gjatë vitit, dhe ky fundvit për Teatrin tonë ishte vërtetë i jashtëzakonshëm. Fillimisht kremtuam realizimin e festivalit Teatrit Shqiptar “Moisiu” që këtë vit sipas rregullës së rotacionit u mbajt në Tiranë dhe çmimet prestigjioze të cilat na u ndanë në këtë festival. Për të vënë qershinë mbi tortë për vitin 2023, Teatri Shqiptar para pak ditës mori dekoratën më të lartë nga Presidenti i shtetit, Pendarovski për etablimin e Teatrit Shqiptar si një nga institucionet udhëheqëse në veprimtarinë kulturore, edukative dhe estetike dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e teatrit bashkëkohor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo dekoratë i ndahet për herë të parë Teatrit tonë në veprimtarinë e tij mbi shtatë dekadëshe.

KOHA: Sa vlerësohet artisti shqiptar në Maqedoni nga shoqëria shqiptare, a kemi moskujdese dhe moskokëçarje që kaplon një shoqëri që nuk di t’i çmojë vlerat e veta?

KARAGA: Është e natyrshme që një shoqëri e cila me dekada po jeton tranzicionin të mos ketë në qendër të vëmendjes artin apo artistin. Gjithsesi arti është rezistent dhe që nga krijimi i vet ka kaluar periudha edhe më të vështira. Pandemia të cilën e kaluam për një kohë pamundësoi zhvillimin e artit apo e tjetërsoi komunikimin mes publikut dhe artistit. Mu në atë kohë u ndje vlera që ka arti për njerëzimin. Rikthimi në normalitet konfirmoi këtë me interesimin e shtuar për të vizituar teatrin dhe skenat tjera artistike. Kështu që, nuk do të thoja që shoqëria jonë nuk tregon kujdes për artin.

KOHA: A diskriminohet dy fish artist shqiptar në RMV, si nga shteti poashtu dhe nga vet komuniteti shqiptar?

KARAGA: Viteve të fundit shteti nuk ka ndarë “arkë” të mjaftueshme për kulturën, por kjo vlen për të gjithë. Nëse mund të bëjë një krahasim mes komunitetit artistik shqiptar dhe atij maqedonas, “diskriminimin” (dallimin) e shoh vetëm te kontributi i sektorit privat te njëra dhe te ana tjetër. Më saktësisht, projektet maqedonase shumë shpesh mbështeten nga biznesi, ndërsa kjo mbështetje dukshëm mungon në projektet shqiptare. Do të shfrytëzoj këtë intervistë për t’u bërë thirrje kompanive për të treguar përgjegjësi shoqërore duke kontribuar në projektet e kulturës, sepse investimi në kulturë është investimi më fisnik për ardhmërinë e shoqërisë.

KOHA: Kemi artist të shumtë që po vazhdojnë krijimtarinë e tyre në Prishtinë dhe Tiranë? Pse po ndodhë ky fenomen në mesin tone? Si është të jesh sot artist shqiptar në Shkup? A kemi bërë progres për dallim me 20 vitet e fundit apo kemi ngecur në vendnumëro?

KARAGA: Lëvizja e artistëve nga Maqedonia në Prishtinë apo Tiranë tashmë është bërë e zakonshme, dhe realisht është shumë produktive, por edhe anasjelltas artistët nga Tirana dhe Prishtina janë pjesë e projekte kulturore në Maqedoni. Ne artistët shqiptar kemi fatin që kemi një skenë aq të madhe që shtrihet në tërë rajonin dhe nga viti në vit po dëshmohet që arti shqiptar po unifikohet si një tërësi e vetme. Kjo ndërthurje e artistëve dhe konkurrenca në skenën mbarëshqiptare domosdo që ka sjell progres për artin në përgjithësi.

KOHA: Dikur artistët ishin lokomotivë që ndikonin jo vetëm në art por edhe në jetën tonë, në politikë por edhe në fusha të ndryshme. Po sot e ka arti këtë forcë?

KARAGA: Është e vërtetë që në të kaluarën artistët ishin fanari intelektual për shoqërinë, por as sot nuk mund të mohohet rëndësia dhe pesha që kanë arti dhe artistët. Meqë në sferën mediatike dominon politika dhe komercialja, lihet përshtypja që arti është më pak prezent në zhvillimet shoqërore, por ai vazhdon të jetë në krye të misionit për të mbajtur gjallë vlerat e mirëfillta të një populli.

KOHA: Me cilët artistë do të donit të pinit një kafe buzë liqenit të Ohrit dhe në cilin periudhë do të kishit dashur të jeni në shkallët e teatrit?

KARAGA: Janë të shumtë emrat me të cilët do të doja të ulem buzë Liqenit. Meqë këta të vendit i takoj më shpesh, pyetja më solli në mendje artistët që i takoj më rrallë – kolegët nga Shkodra, Tirana, Korça, Prishtina, Gjakova… dhe ashtu siç ndodh gjithmonë nuk do të flisnim për asgjë tjetër pos për teatrin – ku ishte dje, ku është sot dhe ku duam ta shohim nesër. Në shkallët e Teatrit do të rrija në çdo periudhë sepse secila periudhë ka pas vulën e kohës.

KOHA: Jeni zgjedhur aktori më i mirë në festivalin “Moisiu” një festival i tri trupave të teatrove shqiptare. Na flisni pak rreth rëndësisë së këtij çmimi për ju?

KARAGA: Çmimi që çdo artist e motivon është duartrokitja e publikut sepse ne ekzistojmë për ta. Çmimet nga juritë profesionale shpesh vijnë si refleksion i këtyre duartrokitjeve dhe në këtë drejtim kuptohet që çmimi më shkakton emocion të veçantë. Të gjitha festivalet që mbahen në tre shtetet tona kanë karakteristikat e veta dhe peshën e vet, por MOISIU është festivali më masiv i artistëve dhe projekteve shqiptare. Vlerësimi nga ky festival do të jetë një nga më të rëndësishmit e karrierës sime.Top24

Related Articles

Back to top button
Close
Close