
Ka ndërruar jetë në Londër, në orët e hershme të mëngjesit historiani, gazetari, studiuesi dhe publicisti i njohur shqiptar, Dr. Daut Dauti.
Dauti ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet. I lindur në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit, Daut Dauti la pas një veprimtari të gjerë në gazetari, historiografi dhe studime që lidhen me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Ai i kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, për të vazhduar më pas në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).
Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.



