
Diskriminimi vazhdon edhe në vatrat e Rekës. Katër arsimtarë shqiptarë të shkollës fillore periferike në Senc, e cila funksionon në kuadër të shkollës qendrore në Zhirovnic, janë larguar nga puna me arsyetimin e kombinimit të paraleleve.
Nga puna janë larguar:
1. Gëzim Shaqiri
2. Fadbi Shabani
3. Rexhep Murati
4. Afet Shabani
Të katër arsimtarët kanë mbi 10 vite përvojë pune dhe kanë dhënë kontribut në arsimin e kësaj treve.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë rast është fakti se ata nuk janë kontaktuar nga drejtori i shkollës dhe kryetari i komunës për t’u sistemuar në shkolla të tjera brenda komunës, pavarësisht përvojës së tyre të gjatë në arsim.
Rasti i Gëzim Shaqirit është veçanërisht shqetësues. Ai është i diplomuar dhe ka kryer edhe rikualifikim pedagogjik, por kontrata e tij e punës është ndërprerë me arsyetimin se nuk është adekuat për të vazhduar punën. Në të njëjtën shkollë, ndërkohë, vazhdojnë të punojnë edhe arsimtarë me shkollë të mesme.
Kjo situatë hap një pyetje serioze për kriteret që përdor drejtoria e shkollës dhe komuna:
Si mund të jetë i papërshtatshëm një arsimtar me fakultet, rikualifikim pedagogjik dhe mbi dhjetë vite përvojë, ndërsa një person me vetëm shkollë të mesme mund të vazhdojë të punojë në të njëjtin institucion?
Në një kohë kur flitet për barazi, meritokraci dhe mundësi të barabarta, raste të tilla krijojnë bindjen se në Rekë standardet nuk janë të njëjta për të gjithë.
Katër arsimtarë shqiptarë largohen nga puna, ndërsa pyetjet për kriteret, sistemimin dhe trajtimin e tyre mbeten të hapura.
A është ky thjesht një riorganizim i stafit, apo një tjetër dëshmi se shqiptarët në Rekë po paguajnë çmimin e të qenit të pambrojtur politikisht?
Deri kur do të vazhdojë ky trajtim?
Deri kur fakulteti do të vlejë më pak se shkolla e mesme?
Dhe deri kur vendi i punës në institucionet publike do të varet nga përkatësia politike, e jo nga arsimi, profesionalizmi dhe përvoja?



