SportTopLajm

NBA/ Lakers e Warriors vijojnë të bëjnë mirë, Durant nuk mjafton për Brooklyn

Kampionët në fuqi të NBA, Los Angeles Lakers vijojnë të bëjnë mirë, teksa kanë regjistruar edhe fitoren e tetë sezonale, në 11 ndeshje të zhvilluara deri tani. Viktima e radhës e Lakers, ishte Houston Rockets, që u dorëzua në shtëpi me rezultatin 102-120.

Në “Toyota Center” të Houstonit, ishin kalifornianët që e nisën vrullshëm ndeshjen dhe pas gjysmës së parë të ndeshjes, thuajse kishin hipotekuar fitoren, vendasit bënë diçka vetëm në fraksionin e tretë, por në fund nuk ia dolën të shmangin humbjen.

Anthony Davies ishte protagonist absolut për Los Angeles Lakers me 27 pikë, 4 rikuperime dhe një asist, ndërsa James Harden ishte në një natë të errët, pasi nuk arriti të shkojë përtej 20 pikëve të realizuara.

Vijon të bëjë mirë këtë sezon edhe Golden State Warriors, që arriti të fitojë ndaj Toronto Raptorës me rezultatin e ngushtë 106-105. Në “Chase Center” të San Franciscos, vendasit bënë gjithçka mirë deri në fund të fraksionit të tretë, por lëshuan në pjesën e fundit dhe për pak u rrëshqiti fitorja nga duart.

Stephen Curry nuk ishte në një ditë të mirë, pasi shënoi vetëm 11 pikë, ndërsa më i miri i ndeshjes ishte kamerunasi Patrick Siakam me 25 pikë të shënuara, 11 rikuperime dhe 3 asiste, por që nuk u shërbyen kanadezëve të Torontos për të shmangur humbjen.

Forma e mirë e Kevin Durant nuk po i shërben aspak Brooklyn Nets, që pësoi humbjen e dytë radhazi dhe të 6-ën sezonale, këtë herë në “Barclays Center” në shtëpi ndaj Ocklahoma City Thunder.

32-vjeçari Durant u shpall më i miri i ndeshjes me 36 pikë, 11 topa të rikuperuar dhe 4 asiste, ndërsa për miqtë nga Ocklahoma, spikati kanadezi Shai Gilgeus-Alexander, që shënoi 31 pikë, rikuperoi 6 topa dhe dha 7 asiste.

Në sfidat e tjera, Denver Nuggets triumfoi me rezultatin 89-114 ndaj New York Knicks, i udhëhequr nga një formë e mirë e serbit Jokiç, ndërsa Minnesota Timberwolves mposhti me rezultatin 96-88 San Antonio Spurs. /SS/

Related Articles

Back to top button
Close
Close