LajmeMaqedoni

Natë dramatike për shkak të zjarreve! Nata më e vështirë këtë verë, mes heronjve edhe traktoristi Ace

E ndezi traktorin dhe e mori punën në duart e veta. Një nga heronjtë e ditës në betejën me zjarret në vendin tonë është traktori i ri Aleksandar Çepigovski nga fshati Ivanjevcë. Me traktorin e tij të madh, përgjatë vijës së zjarrit krijoi një të ashtuquajtur rreth, me të cilin e pengoi përhapjen e flakëve, ose më saktë, që zjarri të mos arrinte deri te shtëpitë. Një mirënjohje publike Aleksandarit ia shprehu drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

“Veçanërisht dua të theksoj një banor lokal, një traktorist të guximshëm, nga fshati Ivanjevci, Ace. Falënderime të mëdha për Acen, sepse me traktorin e tij të madh bëri vërtet një vepër heroike, duke lëruar drejtpërdrejt përgjatë vijës së zjarrit dhe duke shuar një pjesë të madhe të vijës së zjarrit që rrezikonte një pjesë të fshatit Lozhninë”, tha Stojançe Angellov – drejtor i DMSH-së.

Zjarri që shpërtheu në Komunën e Mogillës, në rajonin e Pellagonisë, dhe që kërcënonte fshatrat përreth, ishte një nga zjarret më kritike këtë verë. Pas një beteje që zgjati gjithë natën, zjarri u lokalizua. Në shuarjen e tij morën pjesë zjarrfikës nga Manastiri, vullnetarë nga Ekipi për Reagim të Shpejtë i DMSH-së në Manastir, si dhe banorët e zonës.

Përveç këtij zjarri, dramatike ka qenë edhe situata pranë fshatit Bogomillë, në Komunën e Çashkës, ku gjithashtu shpërtheu një zjarr i madh. Edhe atje, zjarrfikësit dhe banorët lokalë e fituan betejën me flakët.

“Gjatë ditës së djeshme situata ishte dramatike në dy pjesë të shtetit. Fillimisht do ta përmend fshatin Bogomillë, Komuna e Çashkës, ku zjarri arriti deri te shtëpitë e para. Falë reagimit të shpejtë dhe të guximshëm, para së gjithash të banorëve lokalë, u parandalua një katastrofë, por shumë shpejt arritën edhe zjarrfikësit nga Velesi, të cilët dhanë një kontribut të madh, fillimisht për lokalizimin, vënien nën kontroll dhe shuarjen e këtij zjarri të vështirë”, shtoi Angellov.

Për shkak të temperaturave të larta, në të gjithë vendin është shpallur Rrezik i Lartë nga Zjarret, përveç zonave më të larta, siç është Malësia e Sharrit. Në fuqi është edhe ndalimi i lëvizjes nëpër pyje, i cili zgjat nga 1 korriku deri më 31 gusht, ndërsa gjobat arrijnë deri në 2.000 euro.

Related Articles

Back to top button
Close
Close