LajmeSport

Nagelsmann, para supersfidës së Champions-it: Kujdes, Barcelona nuk është vetëm… Lewandowski!

Trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann, ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Barcelonës në Champions League. Ai ishte i vetëdijshëm se tri barazimet radhazi në Bundesligë shkaktuan valën e parë të kritikave ndaj projektit të tij.

Megjithatë, është i etur dhe optimist për një rezultat të mirë ndaj skuadrës së re të ish-yllit të tij, Robert Lewandowski. Nagelsmann nënvizoi mes të tjerash: “Ne e njohim Barcelonën. Megjithatë, i tregova ekipit tim për lojtarët e rinj që kanë në përbërje katalanasit, të cilët tashmë po marrin një rol të rëndësishëm si Lewy.

Përshtypjet nga katër takimet tona të fundit kundër tyre nuk llogariten, është një ekip krejtësisht tjetër. Barcelona ka lojtarë të rinj për t’u pasur shumë kujdes si Pedri dhe Gavi. Xavi ka bërë një punë të shkëlqyer, do të jetë një kundërshtar i vështirë.

Lewandowski? Ai do të mendonte më shumë për atë që i ka mbetur në futboll nëse do të ishte ende këtu. I uroj një kohë të gjatë në nivelin më të lartë. Mendoj se do të jetë kështu për shkak të aftësive të tij fizike. E marr si të mirëqenë se do të shënojë rreth 40 gola në La Liga për sezon.

Pritja ndaj tij? Do t’i shtrëngoj dorën nëse e takoj para ndeshjes. Do të isha i lumtur nëse tifozët tanë do ta prisnin ngrohtësisht, për mua është normale me një lojtar që ka qenë pjesë e familjes së Bayernit për 8 vite.

Nuk e di nëse Lewandowski është më i rrezikshmi, Barcelona ka edhe lojtarë të tjerë të mirë që e asistojnë. Ai krijon hapësirat që të tjerët ta ndihmojnë. Para portës është më i rrezikshmi, por nëse nuk gjen hapësirat e nevojshme, nuk do ta ketë të lehtë.

Upamecano luajti disa ndeshje kundër Lewandowskit në Bundesligë, ai gjithashtu e markoi atë në stërvitje. Pranë Kimmich do të jetë Sabitzer. Goretzka është mirë, por do të ishte shumë për ta aktivizuar pas 94 minutave që luajti kundër Stuttgartit.

Kjo është arsyeja pse Sabitzer do të jetë në formacionin startues, duke marrë parasysh edhe cilësitë kundërsulmuese të Barcelonës dhe se ne kemi nevojë për një lojtar që dominon atë aspekt të lojës.

Ndjesitë brenda dhomave të zhveshjes janë shumë më të mira se sezonin e kaluar. Ajo që ndodh është se detajet e vogla vendosin atë që perceptohet nga jashtë, veçanërisht kohët e fundit. Në fund të fundit, ato janë detaje që na privuan nga arritja e rezultateve më të mira. E di që duhet të kemi më shumë pikë. Megjithatë, jam i lumtur.

Nuk më pëlqen ta etiketoj ndeshje vendimtare. Pavarësisht Barcelonës, ne do të kemi hapësirë për përmirësim në javët në vijim. Në përgjithësi është një test i mirë për ne ndaj një ekipi të madh, që po kalon moment të mirë.

Unë nuk e konsideroj ndeshje vendimtare për grupin, por shumë të rëndësishme duke pasur parasysh që nuk mund të përballosh të luash shumë në Champions League. Tensioni? Nuk jam i tensionuar, vetëm i zemëruar. Nuk më pëlqen të mos fitoj”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close