
Çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri po i shtyn gjithnjë e më shumë banorë të Dibrës të kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me naftë dhe për të blerë produkte të shportës.
Aktualisht, një litër naftë në tregun shqiptar tregtohet me rreth 219 lekë, ndërsa në zonën e Dibrës së Madhe çmimi raportohet rreth 160 lekë për litër. Diferenca prej afro 60 lekësh për litër ka bërë që shumë drejtues automjetesh të zgjedhin furnizimin në anën tjetër të kufirit.
Fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë radhë të gjata në Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës. Sipas të dhënave, drejtuesit e mjeteve janë përballur me pritje të zgjatura për të kaluar kufirin, për shkak të numrit të madh të automjeteve që po udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut.
Krahas karburantit, banorët po shfrytëzojnë kalimin kufitar edhe për blerjen e produkteve ushqimore, duke iu drejtuar tregjeve në Dibër të Madhe për shkak të diferencave të çmimeve.
Fluksi në rritje vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar “One Stop”, marrëveshje e cila synon lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave në pikën kufitare.
Megjithatë, rreth dy muaj pas nënshkrimit, sistemi ende nuk ka nisur zbatimin, pasi marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dyja vendeve.



