
Deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO‑DPMNE, Mile Lefkov, në konferencën e sotme për shtyp akuzoi se kreu i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PPKOK), Islam Abazi, e ka mbrojtur ish‑ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe lidhur me rastin e spitalit modular në Tetovë.
Sipas Lefkovit, lënda për vite me radhë nuk është procesuar siç duhet, për që në fund të mbyllet pa hetim të duhur. Ai theksoi se përgjegjësia për tragjedinë ku humbën jetën 14 persona qëndron te udhëheqësia e atëhershme dhe ndryshimet e rregullativave ligjore.
„Pse mendojmë se Filipçe është fajtor direkt në këtë rast? Sepse para se të ndodhte zjarri në spitalin modular ku humbën jetën 14 bashkëqytetarë tanë, në vend që të përmirësoheshin standardet e spitaleve, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, me propozim të qeverisë, e ndryshoi Ligjin për ndërtim me procedurë të përshpejtuar, me qëllim që ky tip objektesh të vendoset si pajisje urbane për vendosjen e të cilave lejen do ta jepte Ministria e Shëndetësisë, pra ministri i atëhershëm Venko Filipçe,“ deklaroi Lefkov.
Nga partia theksojnë se këto objekte nuk kanë pasur dokumentacion të duhur dhe leje për përdorim sipas rregulloreve në fuqi.
„Këto spitale nuk janë regjistruar në kadastër, nuk kanë marrë vendim nga qeveria për përdorim të përhershëm dhe nuk kanë leje për përdorim sipas rregullores për hapësirë, pajisje dhe kuadër. Për këto gjëra ka evidencë në njësinë e projektit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe e njëjta është dorëzuar në Prokurorinë Publike për krim të organizuar më 12.12.2023,“ theksoi deputeti.
Lefkov shprehu pakënaqësi për vendimin e prokurorit Abazi që të mos nisë procedurë mbi materialet e dorëzuara.
„Edhe pas kësaj, Abazi thotë se rasti duhet të mbyllet, sepse nuk ekziston dyshim për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Për shkak të individëve të korruptuar si Abazi, Filipçe në vend që të përgjigjet, do të qeshë nga foltorja partiake dhe do të shijojë në jahtin e Zaevit,“ shtoi Lefkov.



