
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot zhvilloi takim me zëvendësnënsekretarin e Punëve të Brendshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Gountanis, ndërsa në fokus të bisedës ishin aktivitetet aktuale në lidhje me zbatimin e prioriteteve dhe qëllimeve dypalëshe të dakorduara në Sesionin e dytë të Dialogut dtrategjik midis qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbajtur në prill të këtij viti.
Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, bashkëbiseduesit konfirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për të nxitur më tej bashkëpunimin në fushat me interes të ndërsjellë, me qëllim thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua qëndrueshmërisë së energjisë dhe infrastrukturës, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sigurisë kibernetike, çështjeve të emigracionit, si dhe aktiviteteve të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar dhe tregtimin e paligjshëm të drogës dhe narkotikëve të tjerë.
Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm dhe intensifikimit të aktiviteteve të përbashkëta për realizimin e nismave të dakordësuara, në përputhje me interesat e përbashkëta strategjike të të dy vendeve.





