
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot ka pritur në takim ambasadoren amerikane Angela Aggeler, në të cilën është konfirmuar partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Në takim konfirmuam partneritetin e fortë dhe strategjik mes dy vendeve tona, me fokus forcimin e vlerave demokratike, rritjen ekonomike dhe sigurinë rajonale. Partneritet që dëshmohet edhe nga vizitat e nivelit të lartë dypalësh të realizuara në periudhën e kaluar”, ka bërë të ditur Mucunski në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Fokusi i bisedimeve ishte edhe në sfidat e sigurisë, gjatë të cilave rikonfirmuam përkushtimin tonë për vlerat e përbashkëta demokratike dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Së bashku shprehëm vendosmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin në avancimin e qëllimeve të përbashkëta dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, shkruan Mucunski.



