LajmeMaqedoniTopLajm

MPB APELON PËR FESTA TË QETA: Mjete piroteknike gjithandej në tregje!

Të festojmë në atë mënyrë që na jep kënaqësi, por jo me armë dhe mjete piroteknike me të cilat mund të rrezikojmë jetën tonë dhe jetën e më të dashurve tanë, apelon Spasovski. Tregu rrit ofertën, nga petardët deri tek raketat e ndryshme, për të cilat jo vetëm që nuk dihet prejardhja por i diskutueshëm është edhe kualiteti

Aq më shumë që po afrohet Viti i Ri, aq më shumë po shtohet edhe përdorimi ilegal i mjeteve piroteknike. Oferta në treg tashmë është rritur dhe përfshinë gjithçka, nga petardët deri tek raketat të ndryshme, për të cilat jo vetëm që nuk është e vërtetuar prejardhja por i diskutueshëm është edhe kualiteti. Edhe më të kota janë apelet që bëjnë udhëheqësit për mospërdorimin e tyre, por siç duket të pamjaftueshme janë edhe aksionet që ndërmerren nga policia për të ndaluar shitjen ilegale të këtyre mjeteve. Dhe ky nuk është problem vetëm në vendin tonë, shitja ilegale e mjeteve piroteknike është regjistruar edhe nga Europoli i cili ka kryer një aksion për konfiskimin e tyre.

Tradicionalisht, në dhjetor deri në natën e ndërrimit të vitit, përdorimi i mjeteve piroteknike çdo ditë e më shumë bie në sy, ndonëse fishekzjarrët nuk mungojnë as gjatë vitit, gjuajtja e tyre në mënyrë të pakontrolluar është ajo që gjatë kësaj periudhe më shumë bie në sy, aq sa ajri përveç se është i ndotur, mbanë edhe erë baruti. Shitja bëhet me kuti, me dorë, me parimin e “përshpëritjes vesh në vesh”, ndaj nëse dikush është i interesuar duhet të presë që shitësi t’i sjellë nga magazina. Se ky realitet është kështu, flet edhe sekuestrimi i 100 mijë copave të tyre nga policia, prej ku 4.000 janë sekuestruar vetëm në Kumanovë. “Edhe njëherë dua të apeloj deri tek gjithë qytetarët, mbi të gjitha tek të rinjtë dhe të them se nuk ka bukuri të festosh me mjete piroteknike sepse shëndeti dhe jeta e të gjithëve merret seriozisht. Të festojmë në atë mënyrë që të na jep kënaqësi, por jo me armë dhe mjete piroteknike me të cilat mund të rrezikojmë jetën tonë dhe jetën e më të dashurve tanë”, apeloi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.

Duke mësuar nga vitet e kaluara, jemi të vetëdijshëm se sa më shumë afrohet Viti i Ri aq më shumë shtohet përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos në Shkup. Në këtë periudhë edhe Europol po lufton me fishekzjarrët ilegale të destinuara për konsumatorët. Policia gjermane dhe holandeze në bashkëpunim me Europolin kanë sekuestruar një sasi të madhe fishekzjarrësh të destinuara për tregun holandez. Hetuesit zbuluan rreth 250 mijë fishekzjarrë të ruajtura në kompleks bunkeri në Gjermani, rreth 20km me kufirin me Holandën. Të dyshuarit në këtë skemë të paligjshme tentuan të anashkalojnë rregulloren strikte për shitjen e paligjshme të fishekzjarrëve duke u fshehur pas një kompanie të autorizuar për shitjen e tyre. Në vendet e familjes evropiane tregtia e fishekzjarrëve është e rregulluar rreptësishtë për shkak të rrezikut të tyre. Rreptësishtë e ndaluar është shitja e fishekzjarrëve të rënda, dhe që janë ato që i shohim në vend në natën e ndërrimit të vitit. Hetimi njëvjeçar e zbuloi rrjetin kriminal holandez që tregtonte ilegalisht fishekzjarrë me eksploziv të lartë. Bazuar në një informacion anonim së bashku me informacione tjera për tregtinë e fishekzjarrëve, hetimi filloi në vitin 2021. Të dyshuarit fishekzjarrët i ruanin në vende të pasigurta, ndërsa i shisnin ilegalisht tek blerësit e interesuar pavarësisht se ato ishin të ndaluara për shitje të hapur. Ruajtja dhe shitja e paligjshme e këtyre materialeve përbën rrezik serioz për përdoruesit, por edhe për njerëzit që jetojnë në rrethinën e magazinave. Në nëntor të këtij viti në Gjermani dhe Holandë u sekuestruan 350 ton prej tyre me vlerë deri 25 milionë euro. Ajo që është shqetësuese sipas Europolit, është “tendenca e re” e përdorimit të mjeteve piroteknike, që nënkupton sasinë e duhur dhe të kombinuar të disa substancave nga të cilat shkaktohen shpërthime tmerrësisht shkatërruese. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close