
Luka Modric i dha fund mbrëmë epokës së lavdishme me Real Madridin.
Legjenda kroate ka lënë gjurmë të pashlyeshme në “Santiago Bernabeu” ku arriti të bëhej njëri prej mesfushorëve më të mirë në histori të futbollit.
39-vjeçari u inkuadrua mbrëmë në minutat e fundit të ndeshjes gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve mes Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit, e cila ishte edhe paraqitja e tij e fundit në fanellën e “Los Blancos”.
Me “Mbretërit”, ish-futbollisti i Tottenhamit ka zhvilluar 597 ndeshje zyrtare që prej transferimit aty prej më shumë se një dekade, kur në krye të ekipit ishte Jose Mourinho.
Në këtë periudhë, “Magjistari kroat” i ka fituar plot 28 trofe, duke u bërë futbollisti më i trofeshëm në histori të klubit madrilen.
Modric ka fituar gjithçka që mund ta fitojë një lojtar, përfshirë këtu Ligën e Kampionëve, La Ligan, Kupën e Spanjës, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve.
Ndër të tjera, ai e ka fituar edhe “Topin e Artë” në vitin 2018.
Përfaqësuesi kroat ka shënuar 43 gola me fanellën e bardhë, ndërsa ka edhe 95 asistime.
Fatkeqësisht, ai u largua nga Madridi në sezonin me asnjë trofe.
Kroati ka arritur marrëveshje me Milanin si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me “Mbretërit”.
Ai do të luajë të paktën një vit në “San Siro”, duke vendosur më pas nëse do të pensionohet apo do të vazhdojë të luajë edhe një vit tjetër.



