
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski ka reaguar pas vjedhjes së nënstacionit hekurudhor në vlerë të rreth 5 milionë eurove. Nikolloski siguron që rasti në fjalë, nuk do të ndërpresë asnjë nga projektet që tashmë kanë filluar, ndërsa shton se Ministria e Punëve të Brendshme tashmë është ka nisur kërkimet për vjedhësit.
“Pas dëmit të madh të shkaktuar nga vjedhja dhe shkatërrimi i infrastrukturës energjetike të hekurudhave, sonte zhvilluam një takim koordinues me drejtorin e Hekurudhave – Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski, dhe drejtorin e Hekurudhave – Transport, Dejan Koshutiç. Dua t’i informoj qytetarët se: Treni urban do të funksionojë! Premtuam se do të nisë më 1 shtator dhe më 1 shtator do të vihet në funksion. Do të vazhdojë transporti i rregullt i mallrave në Korridorin 10, i cili siguron të ardhurat më të mëdha për Hekurudhat. Do të ketë trena udhëtarësh për në Veles, Gjevgjeli, Prilep dhe Manastir. Jam i bindur se falë reagimit të shpejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, autorët e vjedhjes do të identifikohen dhe do të mbajnë përgjegjësi. Falënderoj ministrin Pançe Toshkovski për reagimin e shpejtë. Ne ndërtojmë, të tjerët shkatërrojnë! Ne do të fitojmë! Po e ndërtojmë Maqedoninë!”, ka shkruar Nikolloski.(Tv21)



