LajmeSport

Modric nuk largohet nga Milani! Amorim e bind të rinovojë, zbulohet plani për sezonin e ri

Luka Modric duket se do ta shtyjë edhe një vit fundin e karrierës së tij.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, mesfushori kroat është shumë pranë vazhdimit të aventurës me Milanin, pavarësisht se fillimisht kishte menduar të tërhiqej nga futbolli dhe të rikthehej në Madrid.

Pas eliminimit të Kroacisë nga Botërori 2026 dhe lamtumirës me kombëtaren, 40-vjeçari po shijon pushimet, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen pritet të merret në ditët në vijim. Pronari Gerry Cardinale dhe trajneri i ri Ruben Amorim kanë këmbëngulur që veterani të mbetet pjesë e projektit kuqezi.

Vetë Amorim ka konfirmuar se ka zhvilluar dy biseda me Modricin dhe është optimist për qëndrimin e tij.

“Ai është një lojtar që duam ta mbajmë. Kam folur dy herë me të dhe, nëse është e nevojshme, do të flas përsëri. Ai është i pabesueshëm dhe pika jonë e referencës. Nuk po them se do të luajë në çdo ndeshje, por për sezonin e ardhshëm ne mbështetemi te Luka Modric”, u shpreh trajneri portugez.

Sipas raportimeve, Modric do të ketë një rol të ndryshëm nga ai i sezonit të kaluar.

Amorim planifikon ta aktivizojë si mesfushor qendror në një dyshe në mesfushë, ndërsa minutat e tij do të menaxhohen me kujdes për shkak të moshës dhe kalendarit të ngjeshur.

Milani do të garojë në Serie A dhe Ligën e Evropës gjatë sezonit 2026-2027, ndaj rotacioni do të jetë i domosdoshëm.

Kroati pritet të përdoret kryesisht në ndeshjet më të rëndësishme ose si një “armë” me shumë eksperiencë nga stoli, duke ndjekur modelin e sezonit të tij të fundit te Real Madridi, ku edhe me më pak minuta vazhdoi të ishte vendimtar në sfidat më të mëdha.

Related Articles

Back to top button
Close
Close