LajmeMaqedoniRajonTopLajm

Mobilizohen liderët politikë nga të gjitha trojet shqiptare, kërkojnë votën për Shaip Kamberin

Shaip Kamberi është kandidati i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë dhe ka gjasa reale për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë.

Gjykata në Serbi ka vendosur të ripërsëriten zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit.

Si pasojë e këtij vendimi të premten më 27 maj do të ketë sërish zgjedhje në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc.

Shaip Kamberi është kandidati i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë dhe ka gjasa reale për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë, derisa koalicioni i kryetarit aktual të Preshevës, Shqipërim Arifi, nuk ka gjasa matematike për të fituar mandat deputeti edhe pas ripërsëritjes së zgjedhjeve në Tërnoc.

Në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc, Shaip Kamberit i nevojiten edhe rreth 650 vota për të kaluar pragun e nevojshëm për mandatin e deputetit.

Në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote gjithsejtë 1,089 qytetarë.

Subjektet politike serbe në emër të ruajtjes së kutive të votimit tashmë kanë sjellë nga Beogradi në këtë fshat të Bujanocit të ashtuquajturit “ruajtës të kutisë”.

Mirëpo si asnjëherë më parë liderët politikë nga të gjitha trojet shqiptare janë mobilizuar duke bërë thirrje që të mbështetet lista e drejtuar nga Shaip Kamberi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ftuar shqiptarët që të votojnë nesër për kandidatin për deputet në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi në zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc.

Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit, ka shkruar Meta në Facebook.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbështetur fuqishëm Shaip Kamberin në këtë fushatë.

“Tashmë e kemi parë që Serbia, figurat dhe mekanizmat politik të saj, kanë bërë gjithçka që t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend. Andaj nesër punën e parë në agjendën tuaj ditore, bëni daljen dhe votimin në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc”, ka shkruar Kurti në mesazhin mbështetës për Kamberin.

Lideri i BDI-së në Maqedoni të Veriut Ali Ahmeti ka thënë se e premtja është ditë vendimtare për shqiptarët në Luginë.

“Ftoj të gjithë elektoratin shqiptar në Luginë që nesër në mënyrë masive t’iu drejtohen qendrave të votimit, sepse Shaip Kamberit i duhet mbështetja e të gjithëve si kandidat i vetëm për të përfaqësuar votuesin shqiptar në Serbi, sepse zëri i tij duhet të dëgjohet ashtu siç është dëgjuar deri më tani”, ka shkruar Ahmeti.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi kërkon mobilizim për Shaip Kamberin.

“Shqiptarët në Tërnoc, me 27 maj, duhet të mobilizohen dhe mos të lejojnë që Shaipit t’ia marrin mandatin nga duart. Shaipi është e vetmja shpresë e shqiptarëve të Luginës që të kenë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë – e i cili nuk guxon të ndalet. Mobilizohuni dhe dilni e votoni. Për Shaipin, për shqiptarët!”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga votuesit shqiptarë t’iu drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë.

“Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit”, ka shkruar Abdixhiku.

Mbështetje për Kamberin kanë kërkuar edhe liderët e subjekteve tjera politike në trojet shqiptare si dhe intelektualë e aktivistë nga shoqëria civile.

Vet Kamberi ka thënë se ripësëritja e zgjedhjeve është përpjekje e shtetit për të shuar zërin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Momentet e lavdishme dhe historia shkruhen njëherë, nesër është momenti që Shqiptarët e Luginës së Preshevës të bashkohen për përfaqësimin e tyre dinjitoz në kuvendin e Serbisë.
Të dashur shqiptar të Luginës së Preshevës, më shumë se kurrë Shaip Kamberi ka nevoj për mbështetjen dhe përkrahjen Tuaj, rivotimi për herë të tretë edhe njëherë tregon presionin dhe mekanizmat e Serbisë për t’ua pamundësuar shqiptarëve një ulëse në kuvendin e Beogradit.
Nesër të gjitha rrugët ju dërgojnë në Qendrën e Votimit nr. 6 në Tërnoc.
Vota për Shaip Kamberin është akt kombëtar!
Nesër Tërnoci mban mbi supe një nga ato momentet që përjetësisht i kujton historia. Shqiptarët e Luginës së Preshevës tanimë s’do mend që duhet të bashkohen, por më shumë se kurrë duhet të angazhohen për përfaqësimin e tyre dinjitoz në Kuvend.
Shaip Kamberi ka dëshmuar veten me rrezistencën e tij politike, aty ku duhej të mbrohen shqiptarët dhe meriton të vazhdojë këtë mision.
Shqiptarë të Luginës, banorë të Tërnocit, nesër është fjala juaj për të ardhmen tuaj, për krenarinë e gjithë kombit!
Nesër Tërnoci ka zgjedhje. Vendvotimi numër 6-të do jetë kthesa e madhe e shqiptarëve të Luginës.
Ulësja e vetme e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë doemos duhet plotësuar, sepse Shaip Kamberi do të jetë zë i fuqishëm ashtu siç ka qenë deri më tani.
Andaj, ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër të drejtohen masovikisht kutisë së votimit dhe mbështetjen e tyre ta japin për “Koalicionin e shqiptarëve në Luginë” dhe Shaip Kamberin.

Related Articles

Back to top button
Close
Close