
Fitorja e pestë e Tadej Pogaçarit në Turin e Francës e ka vendosur sllovenin mes legjendave më të mëdha të çiklizmit botëror. Vetëm 27 vjeç, ai ka barazuar rekordin e pesë fitoreve në Tur, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj si Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Indurain, ndërsa është më i riu që arrin këtë sukses.
Çiklisti i skuadrës së Emirateve të Bashkuara Arabe fitoi edicionet 2020, 2021, 2024, 2025 dhe 2026, duke treguar një dominim të jashtëzakonshëm në garat shumëditore. Ai e vendosi praktikisht fatin e garës që në etapën e gjashtë, në Tur-malet, dhe e mbylli kompeticionin me pesë fitore etapash dhe 6 minuta e 26 sekonda avantazh ndaj Remco Evenepoel.
Mungesa e Jonas Vingegaard në javën e fundit, pas rrëzimit dhe tërheqjes nga gara, ia lehtësoi rrugën kampionit, ndësra danezi mbetet rivali i vetëm që e ka mposhtur Pogaçarin në vitet e fundit. Sot, prania e Pogaçarit në start e bën atë favorit absolut. Ekipi i tij kontrollon ritmin e garës, ndërsa ai sulmon me qetësi dhe efikasitet, duke fituar jo vetëm renditjen e përgjithshme, por edhe etapa e gara monumentale.
Eddy Merckx e konsideron sllovenin një çiklist të jashtëzakonshëm dhe beson se askush nuk është aktualisht në gjendje ta sfidojë seriozisht. Sipas legjendës belge, sfida e radhës për Pogaçarin duhet të jetë fitimi i Xhiros së Italisë, Turit të Francës dhe Vueltës së Spanjës brenda të njëjtit sezon, një arritje që asnjë çiklist nuk e ka realizuar.
Pogaçar ka arritur të fitojë Xhiron dhe pesë Ture, ndërsa Vuelta mbetet trofeu i vetëm i madh që mungon në koleksionin e tij. Çiklisti slloven nuk e ka përjashtuar rikthimin në garën spanjolle, duke lënë të hapur mundësinë për të tentuar tripletën historike. Me 26 fitore etapash në Turin e France, Pogaçar i afrohet edhe rekordit historik të Mark Cavendish.
Ndërkohë, Merckx beson se ai mund të fitojë shtatë ose edhe tetë Ture gjatë karrierës. Në moshën 27-vjeçare, Tadej Pogaçar nuk garon më vetëm kundër rivalëve të brezit të tij, por kundër historisë së çiklizmit. Çdo sezon e afron më shumë me rekordet absolute dhe forcon bindjen se po ndërton një nga karrierat më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky sport.



