
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë aeroplanmbajtësen USS Theodore Roosevelt në Lindjen e Mesme për një mision të gjatë mbi shtatë muaj, duke zëvendësuar aeroplanmbajtësen USS George Washington që mbërriti në rajon javën e kaluar.
Vendosja e re vjen në kuadër të luftës së vazhdueshme me Iranin dhe operacioneve të përbashkëta me Izraelin, të cilat nisën në fund të shkurtit.
USS George Washington kishte zëvendësuar më herët aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, e cila qëndroi në det që nga nëntori 2025 dhe u përball me raportime për kushte të vështira dhe madje edhe përpjekje për vetëvrasje mes ekuipazhit, shqetësime që u hodhën poshtë nga sekretari në detyrë i Marinës.
Aktualisht, “Lincoln” po udhëton drejt Tajlandës për një ndalesë të shkurtër për 5,000 marinarët e saj.
Sipas Institutit Detar të SHBA-së (USNI), Marina amerikane po përpiqet të lehtësojë presionin mbi marinarët dhe familjet e tyre, pasi vendosjet po zgjasin më shumë se kurrë në dekadat e fundit.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi këtë vendim. Vendosja e “George Washington” nga Japonia ka lënë për herë të parë Paqësorin pa një aeroplanmbajtëse amerikane, në një kohë kur SHBA-të zakonisht mbajnë një anije të tillë për të balancuar fuqinë ushtarake të Kinës.
Ndërkohë, “Lincoln” ishte nisur fillimisht për mision në Detin e Kinës Jugore, por u ridrejtua në Lindjen e Mesme përpara fillimit të sulmeve kundër Iranit gjashtë muaj më parë.
Ky rotacion i aeroplanmbajtëseve tregon për intensitetin e operacioneve amerikane në Lindjen e Mesme dhe për sfidat e mëdha që po përballen marinarët në kushtet e vendosjeve të gjata.



