LajmeRajonTopLajm

Miratohet projektligji për bashkëqeverisjen

Këshilli i Ministrave miratoi të shtunën  projektligjin për krijimin e platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”.

“Marrëdhëniet e institucionit me publikun në këtë shtet nuk mund të jenë opsionale as çështje fakultative vullnetesh personale. Kjo do të jetë një marrëdhënie detyruese moralisht e ligjërisht”, deklaroi kryeministri Rama në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeverisës.

Ne këtu, theksoi Rama, mund t’u rrimë me shkop jo magjik mbi kokë drejtorëve e shefave në zyrat e shërbimit të shtetit që lënë qytetarët varur në telin e indiferencës burokratike.

Rama u kërkoi ministrave ta lexojnë këtë ligj si “Biblën apo Kuranin” e shërbimeve ndaj publikut për të gjithë ata që kanë në varësi.

“Dua t’ua kërkoj zyrtarisht por edhe njerëzisht të mos më lini vetëm në këtë përpjekje që e kemi detyrë si ministra, por që duhet ta kuptoni, ndjeni e zhvilloni si mision human në radhë të parë. Nuk ka mëkat më të madh se të kesh pushtet dhe të zgjidhësh hallet e dikujt me shtetin dhe të mos e bësh”, deklaroi Rama.

Siç nuk ka bekim më të madh, tha Rama, kur je në pushtet se sa buzëqeshja e një njeriu të çliruar nga një hall që ti ja zgjidhe falë angazhimit në pushtetin tënd.

“Mblidhni sa më shumë bekime dhe mos merrni në kurriz mallkime që na i faturojnë “minjtë” e hipotekave, legalizimeve lejeve e licencave dhe pasi zgjidhet një hall i sajuar prej tyre, shkopin kokës çdo njërit që e ka sajuar”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se deri në mbylljen e ciklit të shërbimeve përmes dixhitalizimit dhe deri kur të kemi futur plotësisht të gjithë sistemin e shërbimit të dokumenteve në smartphone e kompjuter, shkopi është domosdoshmëri.

Sipas Ramës, ligji i bashkëqeverisjes parashikon sanksione dhe masa administrative për çdo zyrtar që nuk kthen përgjigje qytetarëve në kohë.

Rama tha se ai vet, dhe bashkë me të edhe ministrat, duhet të jenë shëmbëlltyra e vullnetit të zbatimit të ligjit të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close