LajmeMaqedoniTopLajm

Ministri Ekonomisë Bekteshi: Mbi 10 milionë euro për mbështetje të sektorit turistik-hotelierik

Mbi 10 milionë euro në pakon e gjashtë të masave ekonomike do të destinohen për ta ndihmuar sektorin turistik-hotelierik, paralajmëroi sot Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Siç kemi filluar me mbështetjen e sektorit turistik-hotelierik, kështu edhe vazhdojmë. Edhe në këtë pako janë parashikuar masa që do të jenë ndihmë e njëfishtë ose në formën e një granti. Kompanitë e hotelierisë të regjistruara me shifra të veprimtarisë prioritare 56.10, 56.29 dhe 56.30 do të marrin ndihmë të drejtpërdrejtë prej 30 për qind të të ardhurave mesatare të treguara për 2019, përfshirë edhe vitin 2020. Përveç kësaj, ata do të marrin edhe ndihmë të njëfishtë në vlerë prej 15.200 denarë për secilin punonjës në subjektet e tyre, tha Bekteshi.

Në objektet e hotelierisë, shtoi ai, të cilat janë krijuar gjatë vitit 2020 si mesatare do t’u merret periudha nga dita e themelimit, deri në tremujorin e parë të vitit 2021 për të përcaktuar sasinë e ndihmës që do të jepet.

“Me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare do të mbështeten edhe agjencitë turistike, megjithëse nuk kishte asnjë vendim të Qeverisë për mbylljen e tyre. Të gjitha agjencitë e licencuara me licencë B, të cilat kanë nga një deri në tre punonjës, do të marrin deri në 2.000 euro, ndërsa me licencë A, me katër ose më shumë të punësuar, maksimumi 5.000 euro ndihmë e njëfishtë”, tha Bekteshi.

Ai theksoi se janë në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe po e monitorojnë nga afër situatën dhe nëse është e nevojshme, shtoi, do të takohen përsëri.

Ministri kujtoi se edhe në pakot e mëparshme të masave, kryesisht në pakon e katërt, për këtë sektor ishin ndarë rreth 10 milionë euro. Fondet u ndanë për, siç vuri në dukje Bekteshi, vauçerë për turizmin e brendshëm, kthim të taksës së paguar turistike, grante të drejtpërdrejta për agjencitë turistike, bashkëfinancim të ngjarjeve dhe konferencave, grante për restorante të kategorizuara për dasma, për kënde lojërash dhe guida të licencuara turistike.

I pyetur nëse edhe këtë vit është planifikuar të ndahen vauçerë turistikë për për turizëm vendas prej 6.000 denarë për qytetarët me të ardhura më të ulëta, Bekteshi tha se gjatë majit do të publikohet një thirrje e re për këtë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close