
Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, në tubimin e sotëm para Filarmonisë në Shkup, u ndal edhe tek Kërçova dhe kandidati për kryetar komune nga radhët e partisë së tij.
Sipas Mickoskit, Kërçova ndodhet përpara një mundësie historike për të zgjedhur një kryetar komune që do të promovojë përfshirjen dhe bashkëjetesën midis të gjithëve. Ai theksoi se këto zgjedhje nuk janë çështje përkatësie etnike, por çështje vlerash dhe përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve të Kërçovës, me qëllim që qyteti të bëhet simbol i unitetit, përparimit dhe fitores historike për të gjithë.
“Njëzet vjet atje nuk ka pasur kryetar komune që të mbajë programin tonë, vlerat tona; nuk ka pasur njeri që të shohë për të gjithë, por vetëm për veten. Njëzet vjet qyteti ishte nën një qeverisje që shpesh i ndante njerëzit sipas fesë, kombësisë apo partisë,” tha Mickoski.
Mickoski bëri thirrje për unitet mes të gjitha bashkësive në Kërçovë, duke iu drejtuar maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllehëve, romëve, serbëve dhe boshnjakëve.
“Sonte, nga këtu nga Shkupi, dërgoj një mesazh për të gjithë kërçovarët – maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, romë, serbë e boshnjakë: Dilni të dielën dhe votoni për njeriun që do të jetë kryetar komune i të gjithëve! Le të bashkohemi rreth idesë se Kërçova mund të bëhet simbol i bashkëjetesës, e jo i përçarjes. Ta bëjmë historinë realitet për herë të parë pas dy dekadash, Kërçova të ketë një kryetar që nuk pyet ‘i kujt je’, por ‘çfarë mund të bëjmë bashkë”, shtoi Mickoski.



