
Në një deklaratë në kuadër të takimit të G20, BE tha se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për çështjen e Iranit.
Brukseli mirëpriti përpjekjet që synojnë ta bindin Teheranin të ndërpresë aktivitetet që konsiderohen destabilizuese dhe të angazhohet në negociata paqeje “me mirëbesim”.
BE theksoi se do të ruajë presionin ndaj Iranit, por njëkohësisht do të punojë për uljen e tensioneve dhe forcimin e stabilitetit në rajon. Deklarata vjen pas përshkallëzimit të ri ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit. Forcat amerikane goditën objektiva iraniane në ishullin Larak, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani.
Forcat e armatosura jordaneze njoftuan se kanë kapur tetë raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Përplasja e fundit ka rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për rikthimin e dialogut dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në rajon.



