LajmeMaqedoni

Mickoski: Është zgjidhur problemi me prodhuesit e specave, grumbullimi po zhvillohet normalisht! I mbështesim fermerët për çmime më të larta

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se problemi me prodhuesit e specave është zgjidhur dhe se grumbullimi i tyre prej disa ditësh po zhvillohet sipas pritshmërive. Mickoski tha se, sipas informacioneve që ka marrë nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, janë zhvilluar bisedime mes palëve të prekura.

“Po, nga ajo që jam i informuar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, janë zhvilluar bisedime. Por ajo që është shumë e çuditshme, dua ta theksoj, dhe që më habiti nga informimet që mora nga ministri, është fakti se edhe ne i mbështesim fermerët për çmime më të larta. Dhe kur u thamë: ‘Hajde të protestojmë së bashku te grumbulluesit, i dimë cilët janë 3-4 grumbulluesit më të mëdhenj, hajde të shkojmë, në një lokacion do të jetë ministri, në një tjetër një kryetar komune, në tjetrin një kryetar tjetër komune’, ata thanë jo. Thanë: ‘Jo, pse të protestojmë, kjo nuk na përshtatet’. Atëherë, u thamë, nëse kjo nuk ju përshtatet juve, atëherë Qeveria nuk është grumbulluese”, theksoi kryeministri.

Ai theksoi se Qeveria i mbështet kërkesat e fermerëve për çmime më të larta të blerjes dhe vlerësoi se puna e tyre është nënvlerësuar nga grumbulluesit. Siç tha ai, fermerëve u ishte propozuar që së bashku të protestonin para grumbulluesve më të mëdhenj, por ata nuk e pranuan këtë iniciativë.

“Ja, ne ju mbështesim. Ne duam që të keni një çmim më të lartë për prodhimin tuaj dhe ju e meritoni një çmim më të lartë. Prodhimi juaj po nënvlerësohet nga grumbulluesit. Hajde së bashku të protestojmë në qendrat e grumbullimit. Dhe atëherë, papritur u arrit marrëveshja, papritur të gjithë u dakorduan dhe papritur e gjithë kjo çështje u mbyll. Por është mirë që tani të gjithë janë të kënaqur dhe që grumbullimi prej disa ditësh po zhvillohet ashtu siç prisnim“, tha Mickoski.

Related Articles

Back to top button
Close
Close