
Greqia është përfshirë nga erëra të fuqishme veriore, duke rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarret dhe duke shkaktuar kufizime në qarkullimin e trageteve në disa porte.
Shërbimi zjarrfikës është vënë në gatishmëri në pjesë të mëdha të Egjeut, ndërsa era tipike e kësaj periudhe, e njohur si “Meltemi”, po fryn me shpejtësi rreth 70 kilometra në orë. Në disa zona, shpërthimet e erës kanë kaluar 100 kilometra në orë.
Autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta mund të favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Kushtet atmosferike kanë ndikuar edhe në transportin detar. Shumë tragete janë detyruar të qëndrojnë të ankoruara në porte, ndërsa disa nisje nga porti i Pireut janë realizuar me vonesa.
Në portet e Rafinës dhe Lavrios, disa anije janë urdhëruar të qëndrojnë të ankoruara deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Ndërprerjet dhe vonesat po ndodhin në kulmin e sezonit turistik, duke prekur si turistët e huaj, ashtu edhe pushuesit grekë.
Data 15 gusht ka rëndësi të veçantë në Greqi, pasi të krishterët ortodoksë kremtojnë Fjetjen e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme fetare në vend. Për këtë arsye, shumë qytetarë udhëtojnë drejt ishujve dhe zonave rurale për ta kaluar festën larg temperaturave të larta të Athinës.
Sipas parashikimeve, kushtet me erëra të forta pritet të vazhdojnë deri në fillim të javës së ardhshme, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar.



