
Vazhdon zbritja e karburanteve deri më 18 maj, edhe atë 2 denarë për benzinat dhe 3 denarë për litër. Ky është epilogu pasi Qeveria arriti marrëveshje me OKTA, për të cilën, siç tha kryeministri Hristijan Mickoski, janë zhvilluar negociata të mundimshme dhe të vështira me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe bizneset. Ai gjithashtu tha se po verifikohet informacioni se disa firma që i shfrytëzojnë çmimet e privilegjuara bëjnë reeksport të karburanteve në shtete të tjera, gjë që e quajti sjellje spekulative.
“Është e rëndësishme që zbritjet vazhdojnë për të gjitha ato kompani që praktikisht marrin nga OKTA benzinë dhe naftë. Ajo që më befasoi dhe që po e verifikojmë nëse është e saktë është fakti se disa nga kompanitë që e përdorin këtë zbritje bëjnë reeksport të benzinës dhe naftës në shtetet fqinje. Unë apeloj, nëse kjo është e vërtetë, dhe po e verifikojmë nëse është e vërtetë, se nuk ka nevojë ta bëjnë këtë, sepse ne nuk i kemi mbyllur kufijtë për qytetarët e fqinjëve tanë”, tha Hristijan Mickoski.
Sa i përket masave, Mickoski tha se ato mbeten, përkatësisht ulja e TVSH-së dhe e akcizave.
“Në këtë moment mbetemi te masa e TVSH-së së ulur për benzinat 95 dhe 98 oktanë në 10%, mbetemi te masa e akcizave të ulura; mesatarja që është në Platts FOB Itali për benzinat do të nënkuptojë akciza të ulura për 2 denarë për litër, ndërsa për naftën do të nënkuptojë 4 denarë për litër, ajo që është mesatarja nga gjysma e dytë e prillit, kështu do të jetë dy javët e ardhshme, ndërsa sa i përket TVSH-së për naftën ajo do të mbetet në 18%”, deklaroi Mickoski.



