
Iniciatori kryesor i dhënies së provimit te jurisprudencës në shqip, Mevlan Ademi ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të progresit, duke kritikuar mungesën e rezultateve konkrete në rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas tij, është shqetësuese që raportet vazhdojnë të evidentojnë të njëjtat probleme, ndërsa progresi real mbetet i kufizuar. Ai thekson se rinia pret seriozitet, angazhim dhe rezultate të prekshme, e jo premtime të përsëritura.
Ademi vlerëson se e ardhmja në Bashkimin Evropian i përket veçanërisht të rinjve dhe se vendi duhet të ndërtojë mbi vlerat evropiane, si demokracia, barazia, drejtësia, transparenca, arsimi cilësor, llogaridhënia dhe zhvillimi.
Në vijim shkrimi i plotë i Ademit:
Kur lexojmë një raport progres të radhës pa pothuajse asnjë progres, lind pyetja: deri kur do të vazhdojmë të kënaqemi me premtime në vend të rezultateve? Rinia kërkon seriozitet, angazhim dhe progres të vërtetë, jo raporte që përsërisin të njëjtat probleme vit pas viti.
E ardhmja në Bashkimin Evropian i përket, sidomos, rinisë. Detyra jonë është të marrim vlerat më të mira evropiane; demokracinë, barazinë, drejtësinë, trasparencën, arsimin cilësor, llogari dhënien dhe zhvillimin… dhe t’i ndërtojmë ato në vendin tonë.
Qytetet dhe fshatrat tanë duhet të bëhen vende ku jetohet me dinjitet, ku të rinjtë ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe nuk detyrohen ta kërkojnë Evropën duke migruar apo me pasaporta të fqinjëve.
Le ta sjellim Evropën tek ne, me punë, përkushtim dhe vizion për një të ardhme më të mirë. Progresi nuk matet me fjalë, por me rezultate.




