
Përfaqësuesit e studentëve protestues për provimin e jurispodencës, Mevlan Ademi dhe Çlirim Iseni sot kanë pasur takim me deputetët e Parlamentit Evropian, Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten, si dhe këshilltarët për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Joeri Maas dhe Ine Goris, shkruan Top24
Gjatë takimit diskutuan për situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes Ohrit.
“Kërkuam që këto çështje të ngrihen si temë në Parlamentin Evropian dhe në institucionet e Bashkimit Evropian, me qëllim që të adresohen shkeljet dhe vonesat në zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Gjithashtu, theksuam se çështja dhe pozita e shqiptarëve në Maqedonin e Veriut duhet të trajtohen me prioritet, duke respektuar rolin e tyre si popull shtetformues dhe faktor kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, e jo thjesht si një pakicë etnike.
Falënderim i veçantë për Ismet Ajetin, një atdhetar i përkushtuar që jeton dhe vepron në Belgjikë, për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe të paharrueshme në Bruksel. Po ashtu, falënderim për Ismet Ademin, kryetar i Shoqatës “Ilirida” në Bruksel, për angazhimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e vlerave kombëtare në mërgatë.
Sa herë që vij në mërgim dhe takoj bashkatdhetarë të tillë, e kuptoj edhe më shumë se sa i fortë është kombi ynë kur qëndron i bashkuar.
Kombi mbi të gjitha!” shkruan Mevlan Ademi.



