LajmeMaqedoni

Më pak mjaltë, më pak të ardhura

Bletarët thonë se moti i paqëndrueshëm nuk u lejoi bletëve të shfrytëzonin në kohë lulëzimin e bimëve mjaltore. Për pasojë, familjet e bletëve kanë prodhuar më pak mjaltë, ndërsa në disa zona humbjet janë edhe më të mëdha.

Bletarët në rajonin e Dibrës po përballen këtë vit me një sezon më të dobët të prodhimit të mjaltit. Sipas tyre, pranvera e sivjetme, me temperatura të ulëta dhe reshje të shpeshta, ka ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e bletëve dhe në sasinë e nektarit të mbledhur, duke bërë që prodhimi të jetë rreth 15 për qind më i ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Bletarët thonë se moti i paqëndrueshëm nuk u lejoi bletëve të shfrytëzonin në kohë lulëzimin e bimëve mjaltore. Për pasojë, familjet e bletëve kanë prodhuar më pak mjaltë, ndërsa në disa zona humbjet janë edhe më të mëdha. “Pranvera filloi me temperatura të përshtatshme për stinën, mirëpo netët pranverore ishin të ftohta, gjë që ndikoi shumë në zhvillimin normal të bletëve. Lulëzimi zgjati më pak dhe bletët nuk mundën të punonin me ritmin e zakonshëm. Presim rreth 15 për qind më pak mjaltë këtë vit”, tha për gazetën KOHA bletari Atli Dema.

Ai shtoi se, megjithëse cilësia e mjaltit mbetet e lartë, sasia më e vogël do të ndikojë edhe në të ardhurat e tyre. “Gjithashtu, gjatë verës temperaturat arrijnë mbi 35 deri në 40 gradë, gjë që nuk është në favor të mbledhjes së nektarit. Lulet lëshojnë nektar, por për shkak të temperaturave të pavolitshme bletët nuk janë në gjendje ta thithin atë, dhe kjo ndikon në uljen e prodhimit të mjaltit”, thonë udhëheqësit e shoqatës së bletarëve. Përveç kushteve klimatike, bletarët përballen edhe me rritjen e kostove të mirëmbajtjes së koshereve dhe të ushqimit shtesë për bletët. Bletarët dibranë shpresojnë që kushtet atmosferike gjatë pjesës së mbetur të sezonit të jenë më të favorshme, në mënyrë që të zbuten humbjet dhe të sigurohet një prodhim sa më i mirë. Në një situatë të këtillë pritet që të ketë një sasi më të ulët të prodhimit të mjaltit, i cili mesatarisht në vitet e kaluara ka qenë rreth 20 tonë.

Disa bletarë dibranë informojnë se, për shkak të situatës, është ulur edhe numri i bletarëve, si në Dibër, ashtu edhe në fshatra. Aktualisht, sipas të njëjtit burim, këtë vit numri i bletarëve është 80, ndërsa vite më parë ka qenë afro 130.

Deri vitin e kaluar, çmimet e volitshme të mjaltit në treg kanë stimuluar bletarët, pasi një kilogram mjaltë kushton mbi 1200 denarë. Për shkak të cilësisë së lartë të mjaltit dibran, edhe plasmani realizohet pa problem. Bletaria lulëzon sidomos në fshatrat kufitare të Dibrës, si Konjarë, Sollokiq, Bomovë, Xhepishte, Otishan e të tjerë, por edhe bletarët e kësaj ane ankohen për kushtet klimatike. Bletari Atli Dema thekson se aktualisht prodhimtari bio të mjaltit realizojnë vetëm disa bletarë, por potencon se subvencionet që jep shteti për prodhimtarinë e mjaltit ndikojnë shumë pozitivisht.

Bletaria mbetet një nga aktivitetet tradicionale në rajonin e Dibrës, ndërsa mjalti vendas vazhdon të vlerësohet për cilësinë dhe shijen e tij karakteristike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close