
Shumica parlamentare ka refuzuar sot amendamentin e propozuar nga Aleanca për shqiptarët, i cili synonte të sqaronte në mënyrë të prerë se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat buron nga detyrimet e dalë nga Marrëveshja e Ohrit.
Në fjalën e tij, deputeti i Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe akuzoi shumicën se po vepron qëllimisht për të marginalizuar rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të krijuar terren për të anashkaluar detyrimet e saj në të ardhmen. Ky refuzim u shërben atyre që e kanë hartuar dhe servuar ligjin, sepse synimi është që arritjet e Marrëveshjes së Ohrit të mos përmenden askund nënvizoi Snopçe.
Deputeti gjithashtu theksoi se një formulim i tillë do t’i konvenonte edhe partisë VLEN, duke shtuar se, nëse VLEN-i beson se ligji është i mirë, ata do të mund të deklaronin se po zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, në vend që ta shmangin atë.Gjatë debatit u ngritën edhe akuza ndaj opozitës se amendamentet e saj janë të dëmshme për shqiptarët. Deputeti Snopçe e quajti këtë akuzë absurde dhe nënvizoi se kërkesa për kuota të qarta dhe mekanizma garantues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat synojnë pikërisht mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar.
Ai pyeti nëse VLEN-i mund të ketë një plan për të arritur mbipërfaqësimin e shqiptarëve me anë të këtij ligji, duke e cilësuar si të vetmen logjikë që mund të shpjegojë pse kërkesat për garanci më të forta konsiderohen të dëmshme për shqiptarët.



