BotaLajme

Mbi 100 persona arrestohen në Turqi gjatë protestave anti-NATO para samitit në Ankara

Autoritetet turke kanë arrestuar më shumë se 100 persona që morën pjesë në protestat anti-NATO të organizuara pardje nga Partia Komuniste e Turqisë (TKP), në prag të samitit të liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në Ankara.

Turqia do të presë në Ankara liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues zyrtarë të vendeve partnere.

Në pritje të samitit, autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë në të gjithë Ankaranë, duke ndaluar protestat, vendosur barrikada dhe mbyllur rrugë në shumë pjesë të qytetit.

TKP njoftoi se organizoi protesta në qendër të Ankarasë, duke shtuar se janë arrestuar mbi 100 anëtarë të partisë, përfshirë edhe zyrtarë të saj.

Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale tregojnë protestues që valëvitin flamuj dhe brohorasin slogane si: “NATO, vrasëse, largohu nga vendi ynë!”, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Qindra persona morën pjesë edhe në një protestë tjetër të TKP-së në Stamboll, ndërsa në qytet u mbajtën edhe dy tubime të tjera të organizuara nga grupe të majta. Pavarësisht pranisë së madhe të policisë, në Stamboll nuk u raportuan përplasje.

Deri më tani, qeveria turke nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestat dhe arrestimet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close