
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar në Zagreb propozimet e Komisionit Evropian për rishikimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar ndryshime në mënyrën se si vendet kandidate do të integrohen në bllok.
Kos tha se BE-ja duhet të përshtatet me realitetet e reja dhe të përgatitet për një zgjerim me më shumë se 30 shtete anëtare. Ajo e përshkroi situatën aktuale si një “Moment të ri të Helsinkit”, duke iu referuar periudhës kur u hodhën bazat për zgjerimin e madh të BE-së pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Sipas saj, procesi i zgjerimit duhet të përfshijë integrim gradual, verifikim më të rreptë të vendeve kandidate dhe masa më të forta për mbrojtjen e standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Kos theksoi se një BE më e madhe do të ketë nevojë edhe për reforma në procesin e vendimmarrjes, në mënyrë që institucionet evropiane të jenë më efikase dhe fleksibile.
Ajo përmendi përparimin e Malit të Zi, Shqipërisë, Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe vendimin e Islandës për të rifilluar procesin e anëtarësimit. Maqedonia e Veriut nuk u përmend në fjalimin e saj, ndonëse më herët shpesh është përfshirë së bashku me vendet e tjera të rajonit në diskutimet për zgjerimin.
Një nga propozimet është që vendet kandidate të marrin përfitime konkrete edhe para anëtarësimit të plotë, përmes një procesi të integrimit gradual. Kos përmendi si shembuj pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhjen me rrjetin energjetik të BE-së.
Komisionerja paralajmëroi gjithashtu për nevojën e masave më të forta mbrojtëse, në mënyrë që shtetet e reja anëtare të mos cenojnë parimet demokratike dhe sundimin e ligjit pas anëtarësimit.
Sipas saj, BE-ja duhet të largohet nga qasja “gjithçka ose asgjë” dhe të krijojë mënyra më të strukturuara për integrimin gradual të vendeve kandidate.
Reformat e propozuara pritet të diskutohen më tej nga institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së, ndërsa një diskutim i rëndësishëm për të ardhmen e zgjerimit pritet në muajin tetor.



