LajmeMaqedoniTopLajm

Marsh protestues i banorëve të Gostivarit kundër shtrenjtimit të rrymës

Një grup i madh i protestuesve sonte mbajti marsh protestues të pakënaqur nga vendimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind. Marshin e organizoi grupi i tifozëve “Kastriotët”.

Qëllimi i protestës është që të theksohen kërkesat e tyre: të tërhiqet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të ulet çmimi prej 20 për qind, të hiqet monopoli i shërbimeve të EVN-së, të shpërndahet Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe të krijohet tribunal i pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve i cili do ta kontrollojë cilësinë e shërbimeve nga sfera e energjetikës.

Me parulla për uljen të shkruara në gjuhën shqipe, flamuj të Republikës së Shqipërisë dhe brohoritje qindra qytetarë kaluan nga Qendra e Kulturës deri te sheshi i qytetit.

Egzon Azizi nga grupi i tifozëve “Kastriotët”, i cili e udhëhiqte marshin theksoi se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre nga katër pikat, protestat do të radikalizohen.

“Kërkojmë që këto katër kushte të pranohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në të kundërtën protestat tona do të jenë më masive dhe më radikale deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Azizi në fjalimin e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shpërndahen në mënyrë paqësore dhe të mos qëndrojnë në grupe për shkak të kushteve të vendosura nga pandemia.

Protesta, e cila zgjati pesëmbëdhjetë minuta, kaloi pa incidente dhe nën mbikëqyrjen e efektivëve të policisë, duke respektuar distancën dhe duke mbajtur maska. Në protestë ishte edhe kryetari Arben Taravari, i cili theksoi se ai ka ardhur si qytetar, e jo si politikan.

Protesta e ardhshme u paralajmërua në mes të javës së ardhshme, ndërsa protestuesit dhanë dy javë për të realizuar kërkesat e tyre. Protesta të tilla dhe të ngjashme kishte edhe në Tetovë, Çair, Kumanovë dhe Dibër.

Related Articles

Back to top button
Close
Close