
Në kantierin e Pashalimanit do të nisë prodhimi i anijeve lundruese që do të përdoren nga ushtria e Shqipërisë, por edhe nga vendet aleate.
Ky hap strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes u finalizua sot, me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi me Italinë.
Shoqëria “Kayo” sh.a., e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, me produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane “Fincantieri”, aktualisht ndërtuesi më i madh i anijeve tregtare dhe ushtarake në Evropë.
Ky partneritet i hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, presidentin e “Fincantieri”-t, Pierroberto Folgiero, si dhe përfaqësues të lartë të kësaj industrie.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së Shqipërisë.
Rama theksoi se kjo nismë do të krijojë një ekselencë të përbashkët italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare, duke sjellë inovacion dhe teknologji të përparuar në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të përfitojnë dy anijet e para që do të ndërtohen në Pashaliman dhe prodhimi i tyre do të vazhdojë më tej për eksport.
Kjo sipas tij, do ta çojë në shtatë numrin total të flotës së Shqipërisë, që në terma të përcaktuara nga NATO është një numër optimal për sa i përket peshës dhe përgjegjësisë të Shqipërisë në Mesdhe.
“Bota e kantiereve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë pikërisht një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, diçka të veçantë, diçka speciale, e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin e Shqipërisë dhe që do të shërbejë dhe në përgjithësi për botën e re të kantiereve për inovacionin e saj dhe për atë që ajo sjell”, u shpreh Rama.
Në këtë drejtim, kryeministri shqiptar theksoi se kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë e Shkollës Industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët që do të kontaktohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi për t’u bërë pjesë e kësaj shoqërie të re ekselence.
“Ata do të jenë të shoqëruar në rrugën e tyre të formimit nga profesionistët e ‘Fincantieri’-t dhe do të arsimohen si në Itali, pikërisht aty ku ‘Fincantieri’ ka dhe shpirtin e saj, bazën e saj, por edhe në Shqipëri, në Pashaliman, ku ky shpirti i dytë themi do të marrë jetë së shpejti”, shtoi Rama.
Sot, vijoi ai, kohët janë të ndryshme dhe kanë diktuar pikërisht këtë hap të “Fincantieri”-t drejt bregdetit të Shqipërisë dhe drejt kësaj marrëveshjeje që është me të vërtetë një ëndërr për Shqipërinë dhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, si dhe për ekonominë industriale të vendit.



