
Maqedonia e Veriut ka humbur mjetet e grantit nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Ndihmë Para-Anëtarësuese (IPA), të destinuara për ndërtimin e linjës hekurudhore drejt Bullgarisë, për shkak të vonesave në realizimin e projektit dhe mosrespektimit të afateve të parashikuara.
Sipas propozim-ligjit të dorëzuar në Kuvend, kontrata për ndërtimin nuk është lidhur brenda afatit të përcaktuar, duke bërë që fondet IPA të mos jenë më në dispozicion për këtë projekt.
“Duke pasur parasysh se brenda afatit të paraparë nuk është lidhur kontratë për ndërtimin, mjetet e ndara nga IPA për këtë projekt nuk janë më në dispozicion. Si rrjedhojë, Sektori për Financim Qendror dhe Lidhje të Kontratave në Ministrinë e Financave nuk ka më kompetencë për zbatimin e projektit”, thuhet në arsyetimin e propozim-ligjit dorëzuar në kuvend.
Për shkak të kësaj situate, Qeveria ka nisur procedurën për ndryshimin e marrëveshjes, me qëllim që projekti të vazhdojë të financohet përmes kredive të dakorduara më parë.
Në dokument theksohet se është e nevojshme të ndryshohet struktura financiare dhe zbatuese e projektit, përkatësisht të caktohet një institucion tjetër kompetent që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurës së tenderimit për ndërtimin e hekurudhës.
Në Kuvend janë dorëzuar dy propozim-ligje, me të cilat parashihet të hiqet formulimi se projekti “financohet pjesërisht edhe përmes Instrumentit të Bashkimit Evropian për Ndihmë Para-Anëtarësuese – IPA”, duke reflektuar kështu humbjen e grantit evropian.
Linja hekurudhore drejt Bullgarisë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe pjesë e Korridorit VIII, i cili synon përmirësimin e lidhjes hekurudhore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. përcjell Zhurnal.mk .



